Bashkëpunimi ekonomik, Meta takon ambasadorin korean
Koreja i propozon Shqipërisë zhvillimin e konsultimeve politike me qëllim organizimin e vizitave të nivelit të lartë dhe zhvillimin e aktiviteteve me karakter kulturor. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti dje ambasadorin e Republikës së Koresë, z. Bae Young-Han. Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Z. Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë pozitive dhe shprehu vullnetin për zgjerimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha nivelet. Ai theksoi rëndësinë e veçantë të këtyre marrëdhënieve, duke nënvizuar potencialet që ekzistojnë në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe pozitën strategjike që Shqipëria ka në rajon. Në këtë kontekst, ai kërkoi një prani më të madhe të kompanive koreano-jugore në Shqipëri. Ambasadori Young-Han transmetoi dëshirën e qeverisë koreano-jugore për thellimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare në të gjitha nivelet. Duke nënvizuar faktin se viti i ardhshëm shënon 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ai propozoi zhvillimin e konsultimeve politike me qëllim organizimin e vizitave të nivelit të lartë dhe zhvillimin e aktiviteteve me karakter kulturor. Gjithashtu, ambasadori koreano-jugor përshëndeti zhvillimet e brendshme në Shqipëri në kuadrin e procesit të integrimit në BE. Në përfundim të takimit, z. Meta transmetoi ftesën për një vizitë në Shqipëri të ministrit të Jashtëm koreano-jugor.