E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-BENS: SHBA, kontribut në forcimin e kufijve



SHBA-të mund të kontribuojnë në forcimin e sigurisë kufitare dhe kombëtare. Përmes BERS, SHBA-të shprehën dje vullnetin për të inkurajuar intensifikimin e investimeve amerikane në Shqipëri, si një kontribut për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti dje delegacionin amerikan të Biznesit për Çështje të Sigurisë Kombëtare (BENS). Gjatë takimit me delegacionin amerikan (BENS – Business Executives for National Security) të kryesuar nga Gjenerali Charles Boyd, u diskutua për çështjet që lidhen me rolin e Shqipërisë për sigurinë rajonale, kontributin e saj në Afganistan, integrimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe për perspektivat që lidhen me rolin e investitorëve amerikanë në Shqipëri. Në takim mori pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, z. John Withers. Z. Meta e vlerësoi vizitën e delegacionit BENS në vend dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA-të, si aleati strategjik i Shqipërisë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, u vlerësua edhe politika konstruktive dhe ajo e fqinjësisë së mirë, e ndjekur prej qeverisë shqiptare. Z. Meta shprehu bindjen gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e ka forcuar ndjeshëm pozicionin e saj strategjik dhe rolin që ajo luan për sigurinë rajonale dhe globale. Më tej, z. Meta vlerësoi ndihmën e SHBA-ve për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kontribuar në veçanti për forcimin e sigurisë kufitare dhe kombëtare. Z. Boyd vlerësoi politikën pozitive të ndjekur nga Shqipëria në rajon dhe shprehu mirënjohjen e SHBA-ve për kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë në Afganistan, si anëtare e NATO-s.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›