Bashkëpunimi ekonomik me Kosovën,Haxhinasto-Beqaj kërkojnë më shumë angazhim

Ka ardhur koha që vullneti dhe gatishmëria politike të institucionalizohet me një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar. Kështu ka theksuar zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, dhe homologu tij kosovar Besim Beqaj gjatë takimit të tyre.
Gjithashtu sa i takon shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, mes dy vendeve ata theksuan se ka ende vend për rritjen, zgjerimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, investimeve në infrastrukturë, turizëm, krijimin e një tregu unik, energjetik.
Gjatë takimit u vlerësua karakteri strategjik i marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, sipas të cilëve synojnë të shndërrohen në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me dëshirat dhe aspiratat e dy vendeve, për t`u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Nga ky takim u ra dakort që mbledhja e sesionit të parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Kosovë, të mbahet brenda këtij viti.