Bashkëpunimi me PD-në produktiv, PAA konfirmohet si pjesë e mazhorancës

Partia Agrare Ambientaliste konfirmon bashkëpunimin me koalicionin e djathtë në zgjedhjet parlamentare
TIRANE - Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, njëkohësisht Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave deklaroi dje se bashkëpunimi me PD-në ka qenë produktiv dhe se do të vazhdojë të jetë pjesë e mazhorancës, duke mbështetur njëri-tjetrin dhe në bazë të rezultateve do të mbajmë peshën dhe përgjegjësinë në shumë institucione.
Gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie në rang qarku, si dhe të degës së Elbasanit, Xhuveli tha se “PAA është në koalicion me Partinë Demokratike dhe perspektivat janë gjithnjë në rritje, në realizimin e zhvillimeve në fushën e bujqësisë dhe mjedisit”.
“Nëse Elbasani për vite me radhë ishte në krye të listës së qyteteve me ajër të ndotur nga industria, tashmë është në krye të listës për investimet e kryera në mbrojtjen e mjedisit. Kjo është arritur me projekte ambicioze për zhvillimin e qëndrueshëm dhe politikat evropiane për mbrojtjen e mjedisit që PAA ka arritur të materializojë duke qenë pjesë e koalicionit qeverisës”, theksoi Xhuveli.
Në fund të këtij takimi, me konsensus anëtarët e kësaj partie kanë rizgjedhur kryetar të PAA- së për qarkun e Elbasanit Shkëlqim Elezin, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, dhe kryetar të degës së kësaj partie për qytetin e Elbasanit Sotir Panxhin.