E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Shqipëria, një vend me stabilitet ekonomik

Ministri i Financave, Ridvan Bode theksoi se Shqipëria është një vend me stabilitet ekonomik e politik të konfirmuar. "Ekonomia shqiptare është sot e aftë të plotësojë kriteret ekonomike, krijimin e një ekonomie tregu funksionale, rrjedhojë kjo e reformave strukturore të realizuara në fushën fiskale", deklaroi Bode gjatë prezantimit të projektitt të Komisionit Evropian që ka të bëjë me Instrumentin e Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA). Në prani edhe të Shefit të Delegacionit Evropian në Tiranë, Ambasadorit Helmuth Lohan, Bode u shpreh se "ekonomia shqiptare është e shëndetshme dhe e aftë të reagojë ndaj mjedisit të jashtëm dhe impakteve që mund të sjellë kriza botërore". Sipas tij, këto janë edhe rezultat i menaxhimit serioz e me efektivitet i fondeve buxhetore dhe atyre të ofruara nga partnerët ndërkombëtar. "Rritja e statusit të vendit në marrëdhëniet e partneritetit me Bashkimin Evropian shprehet edhe në stadin e ri të bashkëpunimit në fushën e asistencës komunitare, që deri tani është zbatuar mbi baza të centralizuara, pra i ka munguar pronësia e institucioneve qeveritare", vijoi Bode. Programi CARD-s, shtoi ai, tashmë zëvendësohet nga një instrument të ri për Asistencën Parazgjerimit, që i kanalizon fondet e parazgjerimit, nëpërmjet një instrumenti të vetëm, hartuar me synimin për të ofruara mbështetje të fokusuar për vendet kandidate dhe ato kandidate potenciale për t'i ndihmuar drejt zhvillimit progresiv në përputhje me standardet dhe politikat evropiane. Në këtë drejtim Bode sqaroi se ndryshon edhe sistemi i menaxhimit, nga i centralizuar në të decentralizuar, ku qeveria shqiptare merr përgjegjësitë për menaxhmin e asistencës së BE-së. "Prandaj, tha ai, merr përparësi përgatitja e strukturave administrative për të thithur në mënyrë adekuate asistencën financire të BE-së". Ministri Bode e konsideroi këtë projekt një hap të rëndësishëm në partneritetin e qeverisë shqiptare me Komisionin Evropian. "Të gjithë konstatojmë se Shqipëria ka bërë hapa të sigurt e të dukshëm në proçeset e saj integruese", vijoi Bode, ndërsa theksoi dhe rëndësinë e miratimit të paketës ligjore të qeverisë për anëtarësimin në NATO. Lidhur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Bode tha se ajo tashmë është në fuqi dhe shumë shpejt Shqipëria do të paraqesë kërkesën e saj si vend kandidat në BE. Këto, sipas Bodes, janë rezultat i suksesit të reformave të ndërmarra nga qeveria dhe i kontributit të marrë nga të gjitha institucionet e vendit në plotësimin e aspiratave shekullore kombëtare. "Tashmë vendi ynë është partner i besueshëm për BE-në, por edhe për të gjitha institucionet ndërkombëtare, u shpreh ai. Projekti i prezantuar sot prej 1 milion euro, i financuar nga Komisioni Evropian, synon të rrisë kapacitetet e administratës qendrore shqiptare për të menaxhuar fondet e BE-së, sidomos ato nën Instrumentin e Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA). Projekti prej 1 milion euro do të vazhdojë deri në korrik të vitit 2010, ndërsa janë përcaktuar edhe 1.5 milion euro të tjera për vazhdimësinë e ndihmës në këtë fushë. Menaxhimi i decentralizuar i fondeve IPA nxitet nga Komisioni Evropian për dy arsye, së pari si një tregues i pronësisë vendore të ndihmës, së dyti i lejon vendeve përfituese të përgatiten për të mbajtur me sukses një nga përgjegjësitë kryesore të anëtarësimit, menaxhimin e të ashtuquajturave fonde strukturore që vendet anëtare të BE-së marrin për të integruar rajonet e tyre më të varfëra dhe infrastrukturën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›