Lulzim Basha: Edvini, një njeri antiNato, PD do ndërtojë rrugët e bashkimit kombëtar
Mbahet Kuvendi i 9-të i Partisë Demokratike dega Peqin
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme Lulëzim Basha, në cilësinë e deputetit të Partisë Demokratike, mori pjesë në kuvendin e nëntë të kësaj force politike që u zhvillua në Peqin. Basha gjatë fjalës se tij përpara te pranishme kritikoi liderin socialist Edi Rama i cili sipas tij endet nëpër sallat e Shqipërisë pa asnjë alternative, pasi atë e ka zëvendësuar me një fushatë denigruese shpifjesh dhe mashtrimesh të mirë paguar me objektiv goditjen e sukseseve të kësaj qeverie. “Ai që ditën e ardhjes së presidentit Bush hapi fjalë se i shqiptarët i vodhën orën mikut të tyre më të madh, ai që ditën e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO organizoi mitingun famëkeq kundër saj, ai që bërtiti si një i marrë duke u tallur me vdekjen e një njeriu për qëllimet e tij politike, ai që nëpërkëmb çdo kod njerëzor për interesin e tij politik, që nuk ndahet dot asnjë natë nga nata e pafund e së kaluarës së tij, vërsulet çdo ditë në salla si kjo, me tërbim mbi të tashmen dhe të ardhmen e një Shqipërie që po ndryshon çdo ditë. Ne që futëm vendin në NATO, ne do të heqim vizat për qytetarët shqiptarë, ne do ta fusim vendin në BE, ne që ndërtuam veprën shumëshekullore - ëndërr, Durrës-Kukës, ne do të ndërtojmë Rrugën e Arbrit, ne do të ndërtojmë edhe rrugën fushore Tiranë-Elbasan, e shumë e shumë vepra të tjera madhore kombëtare”, tha Basha.
Shqipëria është sot e transformuar tërësisht si në rrafshin ekonomik ashtu dhe atë politik, vuri në dukje Basha, duke shtuar se kjo është e prekshme nga kushdo.