E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi me qeverinë dhe parlamentin shqiptar, bëri të frytshëm realizimin e misionit

Topalli takon përfaqësuesen e PNUD-it për Shqipërinë, në përfundim të mandatit


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi dje një takim të veçantë me përfaqësuesen e PNUD-it në Shqipërinë, Gulden Turkoz-Cosslett, në prag të përfundimit të mandatit të saj në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, znj. Turkoz-Cosslett dhe kryetarja e Kuvendit kanë pasur një bashkëpunim të vijueshëm veçanërisht për çështje të luftës kundër dhunës në familje dhe mbrojtjes së fëmijëve. Për znj. Turkoz-Cosslett bashkëpunimi i hapur me qeverinë dhe parlamentin shqiptar e ka bërë shumë të frytshme punën e saj. Ajo falenderoi kryetaren e Kuvendit për gjithë angazhimin dhe mbështetjen e dhënë në këto çështje thelbësore, por edhe në projekte të tjera në bashkëpunim me përfaqësinë e Kombeve të Bashkuara. Për Kryetaren e Kuvendit kontributi dhe angazhimin personal i znj. Turkoz-Cosslett mbetet shumë i çmuar për Shqipërinë dhe familjen shqiptare, ndërsa i bëri asaj urimet më të sinqerta për karrierën dhe familjen. Kryetarja e Kuvendit, duke folur për studimin e Neësëeek, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 57, ndër 100 vendet më të mira për të jetuar, tha se Parlamenti i Shqipërisë ka bërë një punë intensive, ku vetëm këtë vit janë miratuar mbi 250 ligje e vendime, pjesë e reformave të mëdha. Pjesë e rëndësishme e legjislacionit kanë qenë shumë ligje por edhe fushata sensibilizuese në përkrahje të familjes, grave e fëmijëve. Konkretisht, një projektligji i ri kundër dhunës në familje pritet të miratohet dhe Kryetarja e Kuvendit tha se ai do të futet menjëherë në kalendarin e punimeve të parlamentit si një prioritet. Znj. Turkoz-Cosslett do të vijojë misionin e saj në New York pranë Kombeve të Bashkuara. Ajo shprehu kënaqësinë të vijojë bashkëpunimin me Kryetaren e Kuvendit dhe parlamentin shqiptar në sfida të cilat tashmë znj. Jozefina Topalli i ka kthyer në beteja të saj; lufta ndaj dhunës në familje, lufta ndaj kancerit dhe mbrojtja e fëmijëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›