“Bashkëpunimi mes Tiranës dhe Selanikut, në transportin urban, art, kulturë dhe sport”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Selanikut Yiannis Boutaris
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me kryetarin e Bashkisë së Selanikut Yiannis Boutaris. Bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Selanikut ishte në qendër të bisedës mes dy kryebashkiakëve.
Basha dhe Boutaris diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e biznesit e për shërbimet bashkiake.
“Në bisedimet që patëm gjatë takimit u fokusuam në bashkëpunim mes dy bashkive, në fusha të tilla si fusha kulturore, ku Bashkia e Selanikut ka përvoja të veçanta nga e cila edhe Bashkia e Tiranës mund të marrë, të tilla si: festivalet kulinare, festivalet e kuzhinës apo një festival i veçantë muzikor që do të zhvillohet këtë vit, botëror. Po kështu, folëm edhe për bashkëpunimin në kuadër të 2014-ës, ku Selaniku do të jetë kryeqyteti botëror i rinisë dhe Bashkia e Tiranës do të ketë edhe ajo prezencën e saj në këtë ngjarje të rëndësishme, eveniment të rëndësishëm për rajonin, folëm për bashkëpunimin në fushën e biznesit, nxitjen e kontakteve mes biznesit në Tiranë, Selanik, në fusha të tjera të shërbimeve bashkiake, siç janë transporti urban, kultura, sportet, arti dhe jam i sigurt se kjo vizitë do i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy qyteteve tona, qytetarëve, bizneseve, sportistëve, artistëve dhe shkëmbimit të përvojave më të mira, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës dhe Selanikut”, tha Basha, në prononcimin për mediat.
Kryebashkiaku Basha, duke nënvizuar faktin se në Selanik jeton një numër i madh shqiptarësh, shprehu angazhimin e tij, për ti bërë ata pjesë, të të gjithë aktiviteteve që do të zhvillohen, me një kalendar të përbashkët mes Tiranës dhe Selanikut. “Natyrisht, në Selanik ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët prej kohësh luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e këtij qyteti dhe Tirana, jo vetëm si qyteti më i madh i shqiptarëve, por edhe si kryeqendra e vendit do të mbështesë me të gjithë mundësitë ata, nëpërmjet angazhimit të tyre në të gjithë aktivitetet, kulturore, sportive e të gjithanshme që do të organizojmë së bashku, me një kalendar të përbashkët me Bashkinë e Selanikut”, theksoi Basha.
Kryebashkiaku i Selanikut, Boutaris
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Selanikut, Yiannis Boutaris ka vlerësuar vizionin e Bashës, për drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe shprehu angazhimin e tij, për ta bërë Tiranën, pjesë të aktiviteteve të shumta ndërkombëtare, kulturore e artistike që zhvillohen në Selanik.
Ai theksoi se vëren progres në Tiranë, ndërsa premtoi një bashkëpunim të ngushtë mes bashkisë së Selanikut dhe të Tiranës. Po ashtu binjakëzimi mes kryeqytetit shqiptar dhe qytetit të Selanikut, përfshin edhe bashkinë e Durrësit, si qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. “Jam shumë i lumtur që vizitova Tiranën dhe veçanërisht që takova Kryebashkiakun Basha sepse ai është i ri dhe me vizion. Herën e fundit që kam qenë këtu, ka qenë 15 vite më parë por tani është një qytet ndryshe. Qyteti ka ecur dhe progresi mund të shihet. Ne po shkojmë në Durrës, duke qenë se është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri ashtu si Selaniku në Greqi dhe do të nënshkruajmë një marrëveshje me këtë qytet që përfshin fusha të ndryshme si kulturën, sportin, artin etj, por pa dyshim Tirana është qyteti kryesor në Shqipëri dhe ndaj jam i lumtur për këtë vizitë dhe takimin me Kryetarin Basha. Unë e informova Basha për disa evente që do të organizohen në dy vitet e ardhshme në Selanik, si ‘Vumex’ një festival i madh muzike, një festival në vitin 2014 për të rinjtë, ku Selaniku do të jetë ‘kryeqyteti i të rinjve’. Është koincidencë, por këtë vit ne kemi përvjetor pavarësie dhe po ashtu Shqipëria ka një përvjetor të tillë. Ne erdhën në Shqipëri me makinë dhe bëmë një ndalesë në Voskopojë, kjo sepse prej andej është origjina e familjes sime, e cila zbriti qindra vite më parë dhe për mua ishte shumë prekëse. Qëllimi ynë është që të kemi çdo lloj marrëdhënie, sepse ne nuk ndihemi kushërinj, por vëllezër me shqiptarët. Ne kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë integruar më së miri në shoqëri dhe kemi shumë qytetarë të tjerë me origjinë shqiptare që i duan të dyja vendet. Ky është qëllimi ynë, që të hapim marrëdhëniet me fqinjët sepse vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, mund të tejkalojmë krizën që kemi e që mund të shtohet, ndaj dhe jam vërtet i lumtur që jam këtu”, deklaroi më tej kryebashkiaku i Selanikut, Yiannis Boutaris.