E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shqipëria e meriton statusin e kandidatit brenda vitit

05-04-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së takon reporterët e KiE

Në kuadër të vizitës fakt-mbledhëse të reporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti bashkë-reporterët Tomas Jirsa, Grigore Petrenco dhe Bas Klein. Gjatë takimit me bashkë-reporterët, u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, reformën zgjedhore dhe mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit të vendit.
Meta dhe bashkë-reporterët e Këshillit të Evropës vlerësuan krijimin e një klime më pozitive e bashkëpunuese mes aktorëve politikë në vend gjatë muajve të fundit, në kontrast të dukshëm me vitin e kaluar, si një kontribut real e të nevojshëm në përshpejtimin e reformave që duhen përmbushur në interes të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në këtë drejtim, Meta theksoi se qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë klimën e panevojshme konfliktuale dhe polarizuese me të cilën u përballën gjatë dy viteve të fundit. Ka ardhur koha që të gjithë aktorët politikë të punojnë bashkë në mënyrë konstruktive në interes të vendit, tha Meta.
Për sa i përket zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Meta u shpreh se për LSI-në është e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet përmes një procesi kushtetues dhe konstruktiv.
Në lidhje me reformën zgjedhore, Meta i informoi bashkë-raporterët mbi qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke nënvizuar rëndësinë e përshpejtimit të kësaj reforme kyçe për mirëfunksionimin e demokracisë në vend dhe për marrjen e statusit të kandidatit. Meta theksoi se për LSI-në, është e rëndësishme që sistemi zgjedhor të garantojë transparencën, barazinë dhe përfaqësimin real të votës së qytetarëve shqiptarë në parlament.
Në përfundim, Meta u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim e vlerëson marrjen e statusit të kandidatit brenda këtij viti si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit, duke theksuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme në interes të integrimit evropian të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›