Topalli, qytetare nderi i komunës Çair të Shkupit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është shfaqur e emocionuar teksa ka marrë titullin e qytetares së nderit të komunës shqiptare të Shkupit. Mesazhet për një politikë të stabilitetit në shtetin dykëmbësh shqiptaro-maqedon, kryeparlamentarja i ka dhënë edhe në fjalën përshëndetëse që ka mbajtur para parlamentit maqedon
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në ditën e dytë të vizitës së saj ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në parlamentin e Maqedonisë. Ajo është ndalur kryesisht në integrimin e vendeve të Ballkanit, bashkëpunimin rajonal dhe rolin e Shqipërisë në këtë drejtim. Kryeparlamentarja është shprehur se të dy vendet po bëjnë përpjekje për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, përmes heqjes së gjithë barrierave jo-fizike, të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës dhe konkurrues.
Topalli e ka cilësuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit si kusht që garanton përfaqësimin e barabartë që qytetarëve dhe të përdorimit të gjuhëve dhe grupeve të ndryshme etnike ndërsa ka deklaruar se “dhuna është e dënueshme”.
“Politika jonë e jashtme është e orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të rajonit. Shqipëria është dhe do të mbetet një partner serioz dhe një faktor i rëndësishëm rajonal, që kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të rajonit dhe më gjerë. Ajo inkurajon shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon, që të jenë faktor dhe promotor i integrimit euro-atlantik. Vitin e kaluar, në Shkup, Ju festuat 10-vjetorin e marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që ka vendosur themelet për paqe dhe demokraci, për decentralizimin e pushtetit, për përfaqësimin e barabartë të shtetasve dhe përdorimin e gjuhëve të grupeve të tjera etnike. Zbatimi i saj mbetet vendimtar për paqen dhe të ardhmen Evropiane”, deklaroi Topalli.
Ajo theksoi se është shumë i rëndësishëm integrimi i Ballkanit në BE si një vatër e zhvillimit ekonomik dhe e hapjes së tregut të punës së këtyre vendeve.
“Pozicionimi aktual si një rajon i rrethuar nga kufij të BE-së, por i pa-integruar ende tërësisht në këtë të fundit, do të ishte i dëmshëm për të gjitha palët. Ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe tregut të punës do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike”, theksoi kryeparlamentarja.
Ndërkaq ajo vlerësoi se gjeopolitika e rajonit është pasuruar gjatë dy dekadave të fundit me realitete të reja politike dhe shtet formuese, duke iu referuar shtetit më të ri të Kosovës, i cili ka shënuar një progres të dukshëm dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, që nga shpallja e pavarësisë.