E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet në Komisionin e Ligjeve kandidatura e Elvis Çefës

05-04-2012 / Gazeta 55

Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë - Çefa do zëvendësojë të shkarkuarin Kreshnik Spahiu

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar dje me shumicë votash, kandidaturën e Elvis Çefës për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë seancës dëgjimore, zoti Çefa ka theksuar se gjatë aktivitetit të tij si anëtar i KLD-së, nëse do të votohet nga Parlamenti, do të zbatojë vetëm Kushtetutën dhe ligjin për të luftuar fenomenet negative në drejtësi.
“Gjatë punës time qoftë në KLSH, ashtu edhe në Departamentin e Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave, janë me dhjetëra raste, kur kemi dërguar në organet përkatëse hetimore, persona të ndryshëm, për të cilët kemi konsideruar se kane vepruar në shpërdorim apo abuzim të detyrës”, u shpreh Çefa gjatë seancës dëgjimore në komisionin e ligjeve.
Por, mazhoranca dhe opozita kanë debatuar gjatë për kandidaturën e Çefës. Socialistët janë shprehur dyshues si dhe në mënyrë të pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike politike apo ligjore, kanë ngritur akuza të ndryshme si ajo për korrupsion në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, institucion që drejtohet nga Çefa.
Ndërkohë mazhoranca ka vlerësuar se kandidati jo vetëm që plotëson të gjitha kriteret profesionale, por nuk është lakuar asnjëherë në çështje që i përkasin pronave.
Deputeti demokrat, Gent Strazimiri tha se përpos akuzave absurde të opozitës lidhur me kandidaturën, sot sistemi i drejtësisë është i kalbur nga korrupsioni dhe se Çefa do jetë në KLD “delja e bardhë mes deleve të zeza”.
“Këta personalitete të fushës, që kanë kaq kohë që drejtojnë qeverisjen autonome të sistemit të drejtësisë, na kanë sjellë në këtë situatë, kur raportet ndërkombëtare thonë se sistemi i drejtësisë është i kalbur nga korrupsioni. Nga kjo pikëpamje, fakti që Çefa nuk ka qenë asnjë ditë pjesë e sistemit, në njëfarë mënyrë e bën të jetë delja e bardhë atje mes deleve të zeza. Sot ju kemi propozuar njeriun antikorrupsion, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në sistemin e drejtësisë që po kalbet nga korrupsioni”, tha ai.
Kandidatura e Elvis Çefës nuk është e vetmja për anëtar të KLD-së, pasi opozita pak para se të niste mbledhja e Komisionit të Ligjeve, depozitoi kandidaturën e Ardian Vishës. Kjo mënyrë ndërveprimi institucional, pavarësisht konsideratave të palëve, është vlerësuar nga demokrati Enkelejd Alibeaj, i cili theksoi se shpreson që kjo frymë të vijojë edhe në muaj në vijim, duke pasur parasysh votimin në Kuvend të Presidentit të Republikës.
Para nisjes së seancës dëgjimore, opozita kërkoi shtyrjen e mbledhjes, duke argumentuar se dosja e kandidatit Çefa nuk ishte e plotë. Por kjo kërkesë procedurale u hodh poshtë nga mazhoranca, me argumentin se gjithçka është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Çefa deri më tani ishte kryetar i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave AKKP ndërsa zëvendëson në mandat të shkarkuarin nga parlamenti, Kreshnik Spahiu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›