“Bashkëpunoni, për Shqipërinë anëtare të BE-së”
Eurodeputetja Tanja Fajon rinovon apelin për ato segmente të politikës, që refuzojnë të miratojnë reformat që e afrojnë vendin me Perëndimin
Afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian kërkon më shumë bashkëpunim me palëve por edhe angazhim në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe aftësimin e administratës publike. Europarlamentarja Tanja Fajon në një intervistë për mediat shqiptare në Bruksel bën thirrje për plotësimin e kritereve me qëllim marrjen e një mendimi pozitiv nga Komisioni Europian në vjeshtën e 2011 për statusin e vendit kandidat.
“Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, kur ajo të ketë plotësuar të gjitha kriteret. Ju e dini më mirë se unë sa larg është vendi juaj nga vendet e BE-së. Liberalizimi i vizave ishte një hap i rëndësishëm që u bë mirë. Por nga ana tjetër, në raportin e progresit të nëntorit të Komisionit Evropian, Shqipëria nuk ishte më e mira. Kështu që duhet bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në aftësimin e administratës publike. Janë shumë e shumë kritere që Shqipëria duhet t’i përmbushë”, tha Fajon.
Ndërsa palët në vend nuk kanë arritur ende një konsensus për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e qershorit 2009, deputetja sllovene e parlamentit europian këshillon forcat politike në Shqipëri të zgjidhin krizën.
“Është me rëndësi që të dyja palët në vend, qeveria dhe opozita po provojnë të gjejnë dialogun, që institucionet të jenë funksionale, sepse kjo është në interes të vendit. Dhe, natyrisht, ne në institucionet evropiane dëshirojmë të shohim se institucionet funksionojnë dhe në vend ka dialog”, deklaroi Tanja Fajon.
Ndërsa prej 15 dhjetorit, shqiptarët e boshnjakët po udhëtojnë pa viza drejt vendeve “Schengen”, europarlamentarja premtoi se do të bëhet gjithçka që së shpejti edhe qytetarët kosovarë të mund të udhëtojnë sikurse qytetarët e tjerë të Europës Juglindore.