KQZ sot mbyllet odiseja e djegieve te fleteve te votimit
Fati i fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore të konsumuara në procesin e 28 qershorit 2009, do të zgjidhet sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sikundër është paralajmëruar që para një jave, mbledhja e sotme e KQZ-së ka për temë kryesore, pikërisht shqyrtimin e projektvendimit “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 qershor 2009”. I shoqëruar me një relacion sqarues për bazën ligjore përkatëse, një tabelë referuese për procedimin teknik të procesit si dhe një parashikim buxhetor për përmbylljen e tij, akti në fjalë vjen sot si konkluzion i një procesi politik të nisur që në vitin 2009. Rëndësia e këtij projektvendimi mund të vlerësohet edhe nga seanca plenare e dy ditëve më parë në Kuvendin e Shqipërisë, teksa përballja pozitë-opozitë u përqendrua e gjitha në një çështje teknike, e cila ndau të dyja palët. Kështu Partia Socialiste ka kërkuar që hetimi parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit të funksionalizohet përmes vënies në disponim nga KQZ të materialeve zgjedhore të përdoruara në 2009-n. Për këtë arsye hapi që pritet të hedhë sot ky institucion në pikëpamje politike e vendos atë në bllok kundër PS-së, e cila kërkon transparencën që prej një viti e gjysmë. Gjykime të kundërta, apo më saktë qëndrime të kundërta në fakt përshkojnë edhe vetë anëtarësinë e KQZ, që ndodhet e ndarë mes përfaqësuesve të shumicës dhe atyre të opozitës. Megjithatë një garanci për suksesin e mbledhjes e jep maturimi i klimës politike të paktën për sa i përket çështjes së fletëve të votimit. Edhe pse një miratim eventual i projektvendimit të parashikuar e bën të pamundur hetimin parlamentar sipas kërkesave socialiste, sërish ai mund t’i lejojë vetes asgjësimin e fletëve të votimit. Kjo pasi në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, por edhe në deklarimet e kreut të saj, Edi Rama, çështja e fletëve është konsideruar e mbyllur dhe pa asnjë vlerë funksionale për hetimin. Ky prononcim ka dhënë koncesionin politik që KQZ të marrë iniciativën në fjalë për të përmbyllur një problem sa teknik aq edhe ligjor. Dekreti i Presidentit për zgjedhjet lokale e detyron këtë institucion të nisë përgatitjet për procesin elektoral që kërkon një mbështetje logjistike konkrete, siç janë edhe kutitë. Në këtë vështrim, mbledhja e sotme e institucionit të drejtuar nga Arben Ristani ka në dispozicion tagrin juridik për të vendosur asgjësimin e fletëve, por edhe tolerimin politik, i cili gjithsesi do të provokojë debatin pavarësisht se e ka dhënë vetë koncesionin për këtë proces. Teknikisht, asgjësimi i fletëve dhe raportimi i gjithë procedurave do të zgjasë 60 ditë dhe do të administrohet nga një komision i posaçëm.