Edi Rama, Erion Braçe dhe makthi i tyre, për lidhjet me krimin e organizuar
Kryetari i PS-së Edi Rama, por edhe “eksponentë” të tjerë të PS-së, të përfaqësuar këto ditë të fundit nga Erion Braçe, nuk po e fshehin makthin (për të mos thënë frikën) që i ka kapur pas një DVD-je që mbërriti me zarf në selinë e partisë së tyre.
Ky makth “i provokuar” nga një DVD, nuk buron thjesht dhe vetëm nga përmbajtja e atij disku, se sa nga “precedenti” që ai mund të krijojë, duke i hapur rrugë denoncimeve të tjera të mundshme, me DVD të tjera të mundshme, apo me mënyra të tjera të mundshme, nga “Kadriovskë” të tjerë të mundshëm.
Të vënë më se një herë në qendër të akuzave për lidhje me banda kriminale në veçanti dhe krimin e organizuar në përgjithësi, Edi Rama i cili po kupton se “ish-miqtë” po tentojnë “ti nxjerrin sytë”, as për t’ju kundërpërgjigjur atyre, nuk “po gjen forca”.
“Nuk i heq asnjë presje asaj që është artikuluar nga deputeti Braçe”, ishte përgjigja e Edi Ramës, ndaj pyetjes “Keni një koment në lidhje me çështjen Kadriovski duke qenë se është përmendur edhe emri juaj?”, që ju adresua atij, në daljen e djeshme të tij të radhës para gazetarëve.
Për deri sa ka Erion Braçen i cili mund “të zgjidhi ca punë”, ai ia ka lënë këtij “hajduti xhepash” të autobusëve urbanë të “Kombinatit”, për t’u përcjellë mesazhe, të mbetur në tentativë, “Kadriovksëve” të tjerë.
Se sa do të mund t’ia dalë, i ngelet kohës...
Por vështirë duhet ta ketë, sepse duket se “ish-miqtë” janë aq të shumtë, sa ai (dhe Erion Braçet e PS-së), nuk e dinë se prej kujt “Kadriovsk” duhet të ruhen më parë...
Momenti i mbërritjes së DVD-së në selinë e PS-së, është më i padëshirueshmi për Edi Ramën (dhe Erion Braçet e PS-së). Në prag të zgjedhjeve lokale, kur Edi Rama, përveç pavendosmërisë për një rikandidim të mundshëm për kreun e bashkisë së Tiranës, ndjehet edhe më i pasigurt për humbjen e këtyre zgjedhjeve. Një dorëzim i bashkë së Tiranës në duart e kundërshtarit, për Edi Ramën nuk është thjesht dhe vetëm humbje e rëndomtë e “një njësie vendore”...
... Kjo është shumë më shumë...
Jo vetëm kaq, por sipas ish-ministrit të Rendit Publik Luan Rama, aktualisht Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Edi Rama është peng i krimit të organizuar që ka interesa në bashkinë e Tiranës. Duke reaguar për deklaratat e Edi Ramës, Luan Rama theksuar dje, se Edi Rama ka folur si një person i marrë peng nga strukturat kriminale.
“Socialistët nuk ka sesi të ndihen keq për shkak të gjendjes në të cilën gjendet për fat te keq për PS-në, kryetari i tyre, i cili edhe në shfaqjen e tij të fundit mediatike nuk doli në emër të interesa të socialistëve, në emër të qytetarëve të këtij vendi, por foli si zëdhënës mjeran i zënë peng nga struktura e krimit të organizuar, nga klane mafioze të cilat vazhdojnë të ushtrojnë presion dhe e detyrojnë atë të flasë me këtë gjuhë për të bërë shantazh që t’i dhurohet Bashkia e Tiranës”, vuri në dukje ish-Minstri i Rendit Publik, zyrtari i LSI-së.
Sipas tij, Edi Rama kërkon bashkinë, pasi në të kundërt ai humbet gjithnjë ndikimin që ka në PS dhe më gjerë.
“Ai e di shumë mirë që me largimin e tij nga andej, socialistët do ta largojnë edhe nga partia dhe kështu do të marrë fund përfundimisht një vatër e kontaminuar keq, që përdoret për interesa që nuk kanë të bëjë me interesat e qytetarëve të Tiranës, por që si e tillë është shndërruar në një vatër ku përplasen dhe ku drejtojnë interesat kriminale të qarqeve të njohura tashmë të pastrimit të parave të cilat e kanë shndërruar Tiranën në Tiranën e betonizimit”, vijoi më tej Luan Rama.
I evidentuar edhe nga një ish-ministër i Rendit Publik, makthi i Edi Ramës (dhe Erion Braçeve të PS-së) fiton edhe më shumë “legjitimitet”, po aq sa ky “legjitimitet” motivon edhe zhurmën e imponuar prej makthit, që Edi Rama (nëpërmjet Erion Braçes), nuk po e resht ditët e fundit, post mbërritjes së DVD-së në selinë e PS-së.
Përballë një situate të tillë, ka vend për ti përsëritur Edi Ramës (dhe Erion Braçeve të PS-së) thirrjen e djeshme të ish-ministrit të Rendit Publik Luan Rama, aktualisht Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, sipas së cilës, ai (Edi Rama), “nuk ka të drejtë të tallet me interesat e socialistëve dhe të përdorë PS-në si ombrellë për gjithçka lidhet me një prapavijë kriminale që e komandon atë”...