INSTAT tri drafte te formularit per regjistrimin
Instituti i Statistikave ka përpunuar tri draft versione lidhur me formularin e regjistrimit të popullsisë. Riformulimet kanë të bëjnë kryesisht me pyetjen për etninë, e cila e sjellë në një format të parë ka provokuar debate të forta në Shqipëri. Por problemet lidhur me këtë çështje kanë prekur edhe grupet minoritare në vendin tonë, të cilat përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë të ditur se mundësia e bojkotimit të regjistrimit është reale nëse qeveria shqiptare nuk do të marrë në konsideratë kërkesat e tyre. “Në versionin e parë pyetja “Cila është origjina jote etnike”, shoqërohet nga një listë e të gjitha minoriteteve që njihen nga autoritetet shqiptare, e dyta nuk parashikon deklarimin e ndonjë përkatësie nacionale, ndërsa e treta parashikon etninë shqiptare dhe tjetër. Pozicioni i të gjitha minoriteteve është i mirënjohur dhe ne kemi kërkuar këtë gjë nga INSTAT – një formuar me listimin e të gjithë minoriteteve, përfshirë maqedonasit”, është shprehur kreu i Partisë së Maqedonasve, Edmond Themelko, për median maqedonase MINA. Ai është njëkohësisht edhe president i bashkimit për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë maqedonasve, një shoqatë e njohur ndryshe me emrin "Prespa". Ky deklarim pason atë të kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili normalisht është më radikal në qëndrimet e veta. Acarimin duket se e ka provokuar ndryshimi i formularit, i cili në zërin për origjinën etnike, lejon dy zgjedhje për personin; origjinën shqiptare ose tjetër, pa specifikuar se çfarë etnie përfshihet brenda kategorisë së fundit. Versioni i parë, parashikonte të gjitha përkatësitë etnike apo etnolinguistike në Shqipëri, ç’ka për shumëkënd u pa si një mundësi për të prodhuar shifra të brendshme popullsie që mund të marrin karakter destabilizues. Thënë ndryshe, loja me regjistrimin, e kërkuar sipas formularit të parë, i jep një shans synimit për të zbardhur në vitin 2011 një Shqipëri multietnike, të paktën në kontekstin e përdorimit të procesit nga segmente të caktuara. Në vetvete, procesi i regjistrimit kryhet një herë në 10 vjet dhe sipas INSTAT do të paraprihet nga një fushatë informative të ngjashme me zgjedhjet.