E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëshortja: Si iku Ismet Kryeziu dhe nuk u kthye më

Nuk e di se çfarë ka
ndodhur e kur do të
marrë fund ky ankth,
por kam shpresë të
madhe... Burri im do të kthehet
në shtëpi. Ai është njeri i nderuar,
që gjithë jetën e tij ua ka kushtuar
çështjeve kombëtare dhe shpesh
herë ndaj tij kanë fabrikuar akuza
për spiunazh. Ismet Kryeziu do të
kthehet dhe do të rrëfejë se çfarë
ka ndodhur. Këto janë fjalët e
bashkëshortes Anila Leli (Kryeziu),
e cila mbahet fort, edhe pse
kanë kaluar pesë ditë nga largimi
i burrit të saj. Ajo ka rrëfyer për
"Shqip" momentin e largimit të
të shoqit nga shtëpia dhe bisedën
e saj të fundit me të. Ka treguar
se doli pas një telefonate për një
kafe të shkurtër, e nuk u kthye
më. Por, nuk i pëlqen që të quhet
person i zhdukur, ashtu si nuk i
pëlqen të kujtojë vuajtjet e të shoqit,
i burgosur padrejtësisht për
spiunazh e për trafik armësh, që
ajo i quan fabrikime të personave
të caktuar. Jeta e Ismet Kryeziut
ka qenë me shumë peripeci në
syrin e Anila Lelit, e cila bashkë
me të kishte ardhur në Tiranë për
shkak të sëmundjes së vajzës së
vetme që kanë. Ditën e diel do të
largoheshin, por nuk dihet edhe
sa të diela do kalojnë derisa ai të
kthehet. Nuk dihet se kur vajza e
tij e vetme, e vogël, ende pa filluar
të kuptojë nga jeta, do të rishohë
babanë, që e kërkon çdo natë, e
nuk e zë gjumi...
Zonja Leli, e dimë që është e
vështirë për ju të flisni në këto
momente, por do të donim të
dinim si e kujtoni momentin e
largimit të burrit tuaj?
Ditën e shtunë pasdite ishim
në shtëpi kur ra telefoni i Ismetit
dhe dëgjova që tha: "Erdha për
pesë minuta". Në atë kohë, më
takoi mua dhe më shpjegoi se
do të dilte për të takuar një shok,
pa më treguar asnjë emër dhe që
do të vinte shumë shpejt. Unë i
kërkova që mos të vonohej, pasi
ditën e diel do të niseshim për
në Kosovë. Kështu do të bënim
gati plaçkat, do të festonim në
darkë, pasi e kishim kthyer si
traditë, dhe në mëngjes herët
do të iknim. Por, ai nuk erdhi
më. U bëra merak dhe tentova
të kontaktoj me të, por ishte e
pamundur, pasi nuk më dilte
në telefon. Atë natë e kërkuam,
por nuk e gjetëm. Kështu, në
mëngjes shkuam në komisariat
dhe denoncuam largimin e tij.
Më pas, nuk kam marrë asnjë
përgjigje nga policia nëse ka të
dhëna për largimin e tij.
Përse kishit ardhur në Tiranë?
Ne kemi fëmijën tonë të sëmurë
dhe disa herë e kemi kuruar
në Prishtinë. Bashkë me Ismetin
vendosëm që ta kurojmë vajzën
edhe në Tiranë, kështu që
vendosëm të vinim. Pas kurimit
të vajzës, të dielën do të iknim
sërish drejt Kosovës. Por, me
moskthimin e Ismetit u anulua
ky plan dhe jam në pritje të një
përgjigjeje nga policia shqiptare,
duke pasur besim se ata do të ma
zgjidhin këtë problem.
Ka ndodhur më parë që Ismeti
mos të njoftojë për largimet
e tij?
Asnjëherë. Sa herë vonohej
apo kishte ndonjë problem, ai
telefononte në familje. Ka ndodhur
shpesh që ai vinte vonë dhe
merrte në telefon e shpjegonte se
në çfarë ore do të vinte. Kjo ishte
hera e parë në të gjithë kohën
që unë e njoh, që është larguar,
nuk ka njoftuar dhe nuk është
kthyer më.
Ditët e fundit keni kontaktuar
me policinë?
Jo, nuk kam pasur ndonjë
kontakt të vazhdueshëm. Megjithatë,
ditën e denoncimit ata
janë treguar shumë të gatshëm
për të më ndihmuar. Më kanë
pyetur për ndonjë emër që mund
të më kujtohej për Ismetin, por
s‘dija çfarë t‘u thosha. Më kanë
pyetur në lidhje me njohjet e tij
në Shqipëri dhe kam treguar aq
sa kam ditur, me shpresën se ai
do të kthehet sërish dhe policia
do të më ndihmojë për gjetjen
e tij. Unë nuk e kam cilësuar
këtë rast si të zhdukur, por jam
shprehur se ai u largua dhe nuk
u kthye më.
Ju keni ndonjë dyshim se
çfarë mund të jetë bërë me burrin
tuaj?
Nuk kam asnjë dyshim. Po të
kisha dyshime, do ia kisha treguar
edhe policisë. Nuk e di se me
çfarë është i lidhur largimi i tij
dhe nuk dua të bëj aludime. Po
të dija gjë, do t‘i thosha të gjitha
dhe do të kisha bashkëpunuar
me policinë për ta gjetur. Unë
jam gazetare dhe e di se si duhet
të veproj në këto raste, por nuk e
di se çfarë mund të ketë ndodhur.
Kam shpresë te policia për këtë
dhe do pres përgjigjen e tyre.
Nga policia kemi një informacion
se për zhdukjen e burrit
tuaj mund të ketë ndikuar një
borxh?
Nuk është absolutisht e vërtetë.
Ismeti ndante çdo gjë me
mua dhe nuk besoj që ai të ketë
pasur ndonjë borxh që të ketë
ndikuar në largimin e tij. Madje,
asnjë nga të afërmit tanë nuk
ka një informacion të tillë. Nuk
e di nga mund të jetë ngritur
kjo pistë hetimi, por nuk besoj
të ketë gjë të vërtetë. Ky është
trillim.
Shpresoni se Ismeti është
gjallë?
Shpresoj shumë. Jo thjesht për
të ngushëlluar veten, por besoj
shumë dhe së shpejti ai do të dalë,
do të sqarojë se çfarë ka ndodhur.
Bashkë me mua, ai do të sqarojë
se nuk ka lidhje me shërbime të
huaja, nuk është i përfshirë në
asgjë të jashtëligjshme, por vetëm
se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar
për më të mirën kombëtare.
Unë shpresoj se policia do të japë
një zgjidhje shumë të shpejtë të
kësaj situate.
Në lidhje me akuzat e spiunazhit
ndaj burrit tuaj, çfarë
mund të thoni?
Ato kanë qenë akuza të montuara.
Ismeti u dënua nga Gjykata
e Faktit, por u lirua nga Gjykata e
Kasacionit të asaj kohe. Gjykatësi
vlerësoi faktet dhe vuri re se ato
ishin të montuara politikisht,
kështu që dha pafajësi për tim
shoq. Ai qëndroi në burg për 20
muaj dhe asnjëherë nuk kërkoi
dëmshpërblim për kohën që u
mbajt në qeli padrejtësisht.
A ka pasur lidhje bashkëshorti
juaj me shërbimet e huaja?
Ai kurrë nuk ka pasur lidhje
me shërbimet e huaja. Ai e ka
pasur parim që mos të shërbejë
për shërbime sekret. Ai e ka
nisur misionin e tij që në vitet
‘70 dhe e ka vijuar deri tani me
shokë të tjerë. Ismeti ka qenë
ndër personat e parë i cili ka përzgjedhur
djemtë që stërviteshin
për çlirimin e Kosovës, që ishte
ëndrra e tij. Ai ka qenë i dërguar
nga fronti i rezistencës për këtë
detyrë. Ndërsa kohët e fundit ai
është aktivizuar në politikë, pasi
më parë nuk ka marrë pjesë në
këto aktivitete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›