E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Kryeziut, "dosje" spiunazhi

Zhdukja e Ismet Kryeziut
ka alarmuar jo vetëm policinë,
por edhe shërbimin
informativ. Aktivisti
kosovar për çështjet kombëtare,
prej kohësh në listat e shërbimeve
sekrete, si person me shumë
informacione, me zhdukjen e tij
ka tronditur gjithë strukturat e
shtetit shqiptar, të cilat kanë nisur
punën për mbledhjen e informacioneve
për këtë rast të rëndë.
Si rrallë herë, kjo ngjarje e përmasave
të mëdha ka "shkundur"
shërbimin sekret shqiptar, që
është ngarkuar me punë urgjente
për mbledhjen e sa më shumë të
dhënave mbi dokumentimin e
zhdukjes së 54-vjeçarit kosovar.
Që mëngjesin e djeshëm, krerët
e policisë kanë organizuar një
mbledhje urgjente me vartësit
e tyre për vlerësimin e situatës
dhe analizimin e pak fakteve që
hedhin dritë mbi fatin e njeriut të
sulmuar, jo vetëm nga drejtësia,
por edhe nga shërbimet e huaja,
historia e të cilit fillon që në vitet
‘80. Në atë kohë, Ismet Kryeziu,
ashtu si shumë intelektualë të
tjerë shqiptarë në Kosovë, u arrestua
nga UDB-ja serbe, por u
lirua sërish. Në vitet ‘90 u sulmua
nga drejtësia shqiptare me fakte
të fabrikuara për spiunazh, e në
vitin 2002 mori goditje edhe nga
UNMIK-u në Kosovë, por në të
gjitha rastet doli i pafajshëm.
Ndërsa para pak ditësh ai dyshohet
se ka marrë goditjen përfundimtare,
por nuk dihet nga kush
dhe për çfarë?!
Mbledhja urgjente
Drejtoria e Përgjithshme e
Policisë së Shtetit ka analizuar gjithë
faktet mbi këtë person, duke
ngritur një sërë pistash hetimore,
që nga ato më banalet e deri
te teoritë konspirative. Burime
të besueshme bëjnë të ditur se
fillimisht është ndërtuar ngjarja
sipas fakteve të mbledhura. Grupi
hetimor ka dokumentuar se rreth
orës 17:45 është telefonuar në
numrin e tij të celularit nga një
mik, por sipas të dhënave asnjëherë
nuk ka mbërritur tek ai.
Menjëherë pas telefonatës ai ka
dalë nga banesa dhe i ka thënë të
shoqes se nuk vonohet. Por pasi
ai ka mbyllur derën e shtëpisë,
është zhdukur sikur ta kishte
përpirë dheu. Asnjë shenjë, asnjë
telefonatë, asnjë lajmërim për të.
Ky mister ka detyruar policinë
shqiptare të kërkojë edhe ndihmë
nga homologët kosovarë. Policisë
së Kosovës i është kërkuar zbardhja
e tabulateve telefonike të
Ismet Kryeziut për të zbuluar sa
më shumë të dhëna. Numri i tij
është regjistruar në aparaturat
gjurmuese nga shërbimi informativ,
por prapë asnjë shenjë.
Edhe nga pikat kufitare, emri i
tij nuk është regjistruar që prej
datës kur ka hyrë në Shqipëri
bashkë me familjen e tij. Kjo ka
detyruar policinë të mendojë
nëse ai përdorte pasaportë tjetër,
por edhe kjo është hedhur poshtë
nga bashkëshortja e tij, e cila
është më e interesuara për gjetjen
e Kryeziut.
Pistat hetimore
Në mungesë të gjetjes së tij,
dhe duke mos pasur informacione
shtesë, policia ka ngritur
disa pista për zhdukjen, duke
mos lënë mënjanë edhe atë të
rrëmbimit. Një ndër to ka qenë
ajo e rrëmbimit për shkak të një
borxhi. Policia thotë se dyshohet
që ai ka pasur një borxh, por të
njohurit e tij nuk janë në dijeni
të këtij fakti. E nga kjo mendohet
se ai mund të jetë rrëmbyer.
Megjithatë nuk ka pasur asnjë
kërcënim apo telefonatë nga
"pengmarrës". Gjithashtu, nga informacione
të SHISH, ka njoftime
se ai mund të ketë pasur një lidhje
tjetër intime, por edhe ky hetim
është shumë sipërfaqësor. Mbi
këtë pistë, policia mendon se ai
mund të jetë larguar me dëshirën
e tij dhe qëndron i fshehur brenda
Shqipërisë. Ndërkohë, pista më e
fortë mbetet ajo e përfshirjes së
tij në ndonjë aktivitet tjetër, që
mund të ketë sjellë eliminimin e
tij, megjithatë vërtetimi i saj kërkon
gjetjen e Ismet Kryeziut.
Shërbimi sekret
Informacione shtesë kanë ardhur
edhe nga Shërbimi Informativ
Shtetëror, i cili e ka mbajtur në
dosjet e veta prej kohësh emrin e
Ismet Kryeziut. Sipas të dhënave
konfidenciale, emri i tij ka qenë
shumë i kërkuar nga shërbimet
e huaja sekrete, sidomos ato të
Perëndimit, që kanë shfaqur shumë
interes për kosovarin e zhdukur,
duke i dhënë kësaj ngjarjeje
përmasat e një konspiracioni të
madh. Nga burimet mësohet se
disa shërbime Perëndimore kanë
qenë të interesuara për Kryeziun,
si një person i cili ka pasur informacione
të vlefshme në shërbim
të punës për interesa madhore.
Madje, burimet shpjegojnë se
nga informacionet e mbledhura,
më të interesuarat kanë qenë dy
shërbime sekrete të fuqishme
në Evropë. Interesi për Ismet
Kryeziun ka qenë i ndryshëm
që në fillim të viteve ‘90, e deri
në ditët e sotme. Gjithashtu,
në bazë të korrespondencave,
shërbimi informativ ka zbuluar
se kohët e fundit, marrëdhëniet
e Kryeziut kishin ndryshuar edhe
me ish-përfaqësuesit e UÇK-së,
për të cilën ka qenë një ndër
nismëtarët, bashkë me Remzi
Hoxhën, kolegu i tij i zhdukur
pre 13 vjetësh dhe që ende nuk
është zgjidhur çështja e tij. Këto
informacione të rezervuara shtyjnë
shërbimin sekret të mendojë
se diçka e rëndë është luajtur në
fushën e Shqipërisë.

"Ismeti njeh politikanët e Shqipërisë që janë agjentë..."

Flet avokat Idajet Beqiri, mik i vjetër i Ismet Kryeziut

Në ‘91-in, erdhi në Shqipëri
"Ishim shumë ata që kishin
ardhur nga Kosova, por dy ishin
më të spikaturit, Mentor Kaçi dhe
Ismet Kryeziu, të cilët punonin
bashkë, punonin në kuadër të
lëvizjes revolucionare, e cila
ishte ilegale në Kosovë. Lëvizja
kishte kohë që vepronte dhe
qëllimi final ishte bashkimi i
Kosovës me Shqipërinë", tha
Beqiri. Sipas tij, në këtë kohë
ata krijuan Partinë e Unitetit
Kombëtar në vitin ‘91. "Ismeti
ishte i mirinformuar për krijimin
e partisë. Më kanë kërkuar
programin dhe janë afruar të dy.
Programin tonë e morën dhe e
futën në Kosovë në muajin maj
të vitit 1991 u krijua edhe Partia
e Unitetit Kombëtar të Kosovës.
Dhe në atë kohë dhe në vazhdim
Ismeti ka vepruar në kuadër të
lëvizjes për bashkim kosovar",
vazhdoi rrëfimin Idajet Beqiri.
Më tej shton se ai ka qenë një
urë lidhëse e Kosovës me forcat
e politikës së Shqipërisë. Ismeti,
pohon avokati, pasi ka pasur detyra
specifike për lëvizjen aktive,
e cila parashikonte që arma të
kërciste në Kosovë. "Kishin organizuar
grupe ilegale njerëzish
në Kosovë, të cilët përgatisnin
rezistencë edhe të armatosur",
tha Idajet Beqiri, duke shtuar
se Kryeziu së bashku me Halil
Ali Demaj dhe Mentor Kaçin
filluan të përgatisnin bërthamën
e ekzistencës aktive me kuptimin
që edhe djem nga Kosova
kanë ardhur në Shqipëri, të cilët
përgatiteshin ushtarakisht. "Ka
pasur edhe baza ilegale, ku përgatiteshin
djemtë dhe vajzat. Ato
ishin në Uzinën e Traktorëve në
Tiranë dhe në uzinën e Labinotit
në Elbasan", tha Beqiri, duke
shtuar se Ismeti e parashikonte
se në Kosovë mund të kishte
konflikt të armatosur. "Gjatë kësaj
kohe, nga viti ‘91 deri në ‘96
janë bërë disa veprimtari shumë
të rëndësishme kombëtare, janë
organizuar dy tryeza të rrumbullakëta
në Tetovë, u bë edhe një
mbledhje para kuvendore për
të organizuar platformën, si do
të realizohet platforma e bashkimit
kombëtar shqiptar. Në këto
veprimtari, ai ka qenë një ndër
organizatorët. Në këtë kuadër,
rreth Ismetit, rreth Mentor Kaçit,
rreth Alil Ali Demajt, Feim Lladrovsit,
Rramush Haradinajt,
Xhavit Halitajt e të tjerëve, filluan
të grupoheshin edhe aktivistë të
tjerë, krahas të cilëve edhe Remzi
Hoxha, i cili jepte ndihmesën e
vetë në përgatitjen e rezistencës.
Fillesat UÇK-ja i ka pikërisht
këtu", pohoi Idajet Beqiri, duke
shtuar se ata djem dhe vajza, që
stërviteshin ilegalisht në Shqipëri
filluan të krijonin bazat e UÇK-së
së mëvonshme.
Momentet e errëta
Bashkëpunëtori i Ismet Kryeziut
kujton edhe momentet më
të errëta të atdhetarit. "Ai është
arrestuar në vitin 1988 nga policia
serbe. Është mbajtur për disa
muaj në burg dhe në fund ka dalë
i pafajshëm. Ai është arrestuar
sërish, por kësaj herë në shtetin
amë të Shqipërisë, në vitin 1994.
Ndiqej nga SHIK-u i Shqipërisë
si Remzi Hoxha dhe në vitin ‘93
e ‘96 është trajtuar si armik i
Shqipërisë. Ka qëndruar në burg
rreth 20 muaj, te 313-ta. U hetua
si spiun i UDB-së, e hetuan si
trafikant armësh dhe përfundimisht
u shpall i pafajshëm. Sa
ka dalë nga burgu, organizuam
kuvendin e intelektualëve për
zgjidhjen e çështjes kombëtare
shqiptare në Stamboll. Pushteti
aktual i atëhershëm nuk na lejonte
që të zhvillonim konferenca
në Shqipëri, vijon Beqiri. Krahas
persekutimit në Shqipëri, Beqiri
kujton se Ismet Kryeziu është
keqtrajtuar edhe nga autoritetet
e Kosovës. "Në vitin 2002 është
arrestuar nga UMNIK-u në Kosovë
bashkë me Nevzat Halilin,
i cili ka qenë kryetari i Partisë
për Prosperitet Demokratik në
Maqedoni, partia më e madhe e
shqiptarëve. Ata po përgatisnin
luftë që shqiptarët e Maqedonisë
të kishin shtetin e tyre Iliridën.
U mbajtën dy vjet në burg, ku
i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore
dhe i kërkonin me çdo
kusht të hiqnin dorë nga ideja e
bashkimit të shqiptarëve në një
shtet të vetëm dhe të hiqnin dorë
nga rezistenca aktive. Mbasi doli
nga burgu në vitin 2004, ky njeri
pati njëlloj rënie. Gjatë kohëve
të fundit po afrohej me partinë e
Ramush Haradinajt", përfundon
Beqiri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›