E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Si do të monitorojmë Berishën për zgjedhjet

Socialistët deklaruan dje se votimi në Kuvend, i Kodit Zgjedhor ishte një detyrë e kryer për opozitën shqiptare. Sekretari organizativ, Blendi Klosi, konstatoi se është mbyllur faza e parë e një procesi, ku u investuan energji dhe besueshmëri në të mirë të Shqipërisë e të shqiptarëve, që meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme. "Deputetët dalin nga vota e tyre dhe jo nga cirku i korrupsionit politik, si edhe qeveri që pasqyrojnë vullnetin e mirë të njerëzve, jo deformimet e diktuara nga interesat e politikanëve", theksoi Klosi. Sipas tij, tashmë hapet pjesa e dytë e procesit, e cila ka të bëjë me detyrat ekskluzive të qeverisë për ta garantuar Kodin e ri Zgjedhor me një Regjistër Kombëtar zgjedhësish dhe karta identiteti për çdo votues. Përgjegjësia jonë deri dje ishte të realizonim kodin, u shpreh Klosi, sot e deri në zgjedhje është të mos e lejojmë Sali Berishën dhe qeverinë e tij ta rrezikojë vënien në jetë të tij, duke iu shmangur përgjegjësisë kushtetuese e ligjore për të garantuar infrastrukturën zgjedhore. Klosi tha se opozita kërkon përgjigje nga qeveria se kur Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile do të konsiderohet i përfunduar, i testuar në kuptimin e eliminimit të mangësive dhe të dublimeve, i unifikuar në shkallë vendi dhe i mbrojtur nga ndërhyrjet dhe risqet e mundshme. "Kur (konkretisht në cilën datë) do të bëhet e mundur që në çdo zyrë të gjendjes civile të nxirren nga ky Regjistër listat paraprake të zgjedhësve për çdo qendër votimi, duke krijuar kështu kushtet për të filluar procesi i afishimit dhe i rishikimit të tyre në çdo njësi të qeverisjes vendore?", shtroi pyetjen Klosi. Të njëjtën pikëpyetje Klosi e vuri edhe për datën e prodhimit të kartave të identitetit, se cila do të jetë dinamika e shpërndarjes së tyre dhe kur mendohet të përfundojë pajisja e shtetasve me këto karta. "A ka një evidentim të saktë të shtetasve që janë të pajisur me pasaporta të vlefshme deri në ditën e votimit dhe si do të veprohet konkretisht në praktikë për të pajisur me prioritet me karta identiteti ata zgjedhës që nuk kanë pasaporta?", vijoi Klosi. Socialistët insistojnë te fakti se rregullimin ligjor të ecurisë së këtij procesi Kodi ja lë në përgjegjësi Këshillit të Ministrave, por për vetë rëndësinë dhe sensibilitetin që ka ky problem kërkohet që opozita dhe qytetarët të informohen me përgjegjësi për ecurinë e tij. Partia Socialiste vendosi të bashkojë votat me shumicën për të kaluar para dy ditësh ligjin e ri elektoral. Paketa arriti të marrë 112 vota pro, një kundër dhe katër abstenime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›