Rama: Shkaktarët e përçarjeve të largohen
Dialogu me Shqipërinë për bujqësinë i kryetarit të PS-së, Edi Rama, me banorët e Bilishtit të Korçës është përqendruar kryesisht në mungesën e tregjeve për produktet bujqësore. "Partia Socialiste nuk është asgjë tjetër veçse një instrument për të ndihmuar zgjidhjen e këtyre problemeve. Kështu që të flasim për hallet dhe problemet konkrete të jetës", u shpreh Rama. Sipas të cilit, ne duhet të fitojmë jo për të triumfuar mbi ndonjë armik, por për të triumfuar mbi këto të këqija. "Për mua, të gjithë jemi shqiptare dhe shqiptarë, që kanë të drejtë të mendojnë në mënyra të ndryshme, por që të gjithë së bashku duhet t‘i kundërvihemi politikës së vjetër, të ndasive, të shereve, akuzave, përçarjeve për interesa personale njerëzish të përveçëm", theksoi Rama. Qëllimi ynë, shtoi ai, është të bashkojmë shqiptarët dhe të mposhtim varfërinë, të mposhtim papunësinë. "Ne duhet të fitojmë zgjedhjet për të mundur varfërinë. Ne do të fitojmë zgjedhjet për të mundur papunësinë. Mundja e varfërisë dhe papunësisë, nuk nënkupton përçarje, nuk nënkupton ndasi, nuk nënkupton që ne të ndahemi në dy ushtri të mëdha, socialistë këtej, demokratë andej, dhe të luftojmë me njëri-tjetrin sikur po luftojmë me armikun", tha kreu socialist. Në këndvështrimin e tij "shëmbëlltyra e kësaj politike të vjetër është Sali Berisha, dhe pa dyshim që Sali Berishën ne do ta çojmë në shtëpi". Por, vijoi ai, ne nuk duhet të ngatërrojmë nevojën që ka ky vend, për një qeveri dhe një qeverisje të re me mendësinë e vjetër të luftës me njëri-tjetrin, me mendësinë e vjetër të dasive dhe përçarjeve që i ka çuar kjo politikë e mbrapsht deri në fshatin më të largët.