Bello: Buxheti i premtimeve të pa mbajtura
Deputeti socialist, Marko Bello, deklaroi se nga diskutimi paraprak nëpër komisionet e Kuvendit, është konstatuar qartë një diferencë e madhe midis programit 4-vjeçar të qeverisë "Berisha" dhe shifrave që paraqet drafti për buxhetin e vitit të ardhshëm. "Ne kemi sot të gjitha shifrat e realizimeve dhe mosrealizimeve, të premtimeve të pa mbajtura, ndaj jemi në gjendje të bëjmë një bilanc të kësaj qeverie, që erdhi në pushtet me premtime të bujshme", u shpreh Bello. Para 4 vitesh, Sali Berisha premtoi se do ta katërfishonte buxhetin për Arsimin, tha ai, ndërsa në vitin e fundit të mandatit të kabinetit të tij, buxheti për arsimin nuk arriti në 5%, por vetëm 3.5% të PBB (GDP). "Berisha premtoi se do të dyfishonte pagat e mësuesve. Në zërin Paga, të buxhetit paraardhës, ishin planifikuar 14 miliardë e 450 milionë lekë, ndërsa për këtë vit janë planifikuar rreth 20 miliardë lekë, në një kohë që duheshin mbi 24 miliardë lekë që të realizohej premtimi i qeverisë", theksoi Bello. Socialistët kujtojnë se u premtua me bujë se në klasa do të uleshin jo më shumë se 25-30 nxënës. "Sot klasat janë të tej mbushura, mësimi vijon të bëhet me turne, shkolla të reja janë ndërtuar shumë pak, ndërsa në shumë vende mësimi zhvillohet në hangarë, klube dhe salla krejt të papërshtatshme për edukimin e brezit të ri", tha Bello.