Emri i Prendit, lapsusi në urdhër-arreste
Lapsuset e pretenduara nga kreu i Policisë së Shtetit janë, mbetja gabimisht e emrit të komandantit të Gardës në 5 urdhër-arrestet e tjera
Tiranë Urdhër-ndalimet ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës konsiderohen prej prokurorëve pa asnjë mangësi ligjore apo procedurale, përveç një lapsusi që sipas tyre ka ardhur si pasojë e pakujdesisë. Dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha, duke përmendur një bisedë telefonike mes Prokurores së Përgjithshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, tha se përgjigja e Burgajt për mosekzekutimin e urdhër-ndalimeve kanë qenë lapsuset në formulimin e tyre. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga burime të rezervuara të prokurorisë, të cilat thanë se lapsuset në disa nga urdhrat e ndalimit nuk cenojnë thelbin e tyre dhe nuk lënë shkas për mos ekzekutimin. Burimet thanë se urdhri i parë i ndalimit, i përpiluar pas analizimit të provave, fakteve dhe të dhënave të mbledhura gjatë hetimeve të para, është lëshuar për komandantin e Gardës, Ndrea Prendi. Kjo përmbajtje është përdorur më pas edhe për përpilimin e 5 urdhrave të tjerë të ndalimit. Por për shkak të pakujdesisë, në disa prej urdhrave, përveç emrave të personave, që sipas prokurorisë duhet të ndalohen për akuzën e vrasjes dhe tejkalimit të kompetencave, gabimisht ka mbetur edhe emri i komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Burimet sqarojnë se ky lapsus, nuk pengon aspak policinë të zbatojë detyrën e ngarkuar me ligj për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve të firmosura nga prokurori. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, kur kanë kaluar më shumë se 60 orë nga lëshimi i urdhër-ndalimeve, ato mbeten ende të paekzekutuara. Burime pranë prokurorisë thanë se përkohësisht nuk do t’i drejtohen gjykatës, pasi fuqia e urdhrave të ndalimit ndaj drejtuesve të Gardës nuk humbet nga kalimi i orëve. L.Bakillari