E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhër-arrestet për gardën, katër provat “kyçe” të Prokurorisë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 25-01-2011 10:35

Tiranë- Urdhër-arrestet e mbetura pezull ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës, të cilat kanë futur në konflikt të hapur ekzekutivin me Prokurorinë, kanë nga pas një dosje hetimore, të hapur për vrasjen e 3 demonstruesve. Konkluzioni i hetimeve të para të Prokurorisë së Tiranës është mbështetur në një sërë provash, të administruara në vendin e ngjarjes, por edhe nga këqyrja e kufomave, të cilat rezultojnë të vrara me armë zjarri. Grupi hetimor ngulmon se provat e mbledhura prej tyre, në bazë të së cilave kërkojnë arrestimin e 6 oficerëve të gardës, janë të pakontestueshme, edhe pse në këtë fazë, hetimi mbetet i paplotë. Një sërë aktesh të tjera pritet të plotësojnë këtë dosje, për të zbardhur të vërtetën e tre vrasjeve. Argumentet dhe provat mbi të cilat është mbështetur prokuroria, për të lëshuar urdhër-ndalimet ndaj Komandantit të Gardës dhe 5 oficerëve të tjerë, konsiderohen të rëndësishme, të paktën për këtë fazë të hetimit. Plani operacional i Gardës së Republikës, filmimet e transmetuara nga media, për dy nga tre vrasjet, këqyrja e kufomave, këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe dëshmitë e personave që kanë qenë pranë viktimave, konsiderohen momentalisht si disa nga provat kyçe të akuzës, mbi të cilat kërkohen ekzekutimet e urdhër-ndalimeve. Kjo dosje hetimore pritet të plotësohet nga disa akte të tjera, ku kryesoret janë deklarimet e drejtuesve të gardës, për të cilët ka urdhër-ndalime, si dhe ekspertimet kimike e biologjike të kufomave, por edhe rezultatet e ekspertimeve të plagëve, që të paktën 5 persona kanë marrë gjatë demonstratës së 21 janarit. Një detaj tjetër i rëndësishëm për hetimin është edhe ekspertimi balistik i armëve të sekuestruara në gardë, për të përcaktuar se cila prej tyre ka shkaktuar vrasjet e Ziver Veizit, Hekuran Dedës e Faik Myrtajt.

Pamjet filmike

Administrimi i kasetave me pamjet filmike, ku shfaqet momenti i vrasjes së dy personave, konsiderohet si provë tepër e rëndësishme dhe kyçe për prokurorinë. Dy nga viktimat, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda janë filmuar teksa binin përtokë, si pasojë e plumbave. “Pamjet filmike, që janë marrë nga pika të ndryshme të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tregojnë se të dy viktimat janë qëlluar nga Kryeministria”, - thonë burime nga prokuroria. Por kjo ide, e krijuar nëpërmjet filmimeve, mbështetet nga të tjera prova, që krijojnë një përfundim të qartë për vendin, apo dhe armët që kanë qëlluar ndaj tyre. Nëpërmjet ekspertëve, organi i akuzës pritet të zbardhë detajet për këndin e goditjes dhe drejtimin e armëve që kanë qitur predhat, pasi dy viktimat, Veizi e Deda, dyshohet se janë vrarë nga armë të ndryshme. Ky fakt pohohet edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, që u është bërë viktimave, vetëm pak momente pasi ata kanë humbur jetën. Ky element i hetimit shkon në favor të tezës së prokurorisë, për autorët e vrasjeve.

Autopsia e kufomave

Sipas ekspertizave zyrtare, të firmosura nga ekspertët mjeko-ligjorë, prokurori i pranishëm dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, rezulton se dy nga viktimat, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, janë qëlluar me armë zjarri të predhave të kalibrit 9 mm. Viktima e dytë, që sipas pamjeve filmike qëllohet disa metra larg portës së kryeministrisë, ka një plumb të këtij kalibri në pjesën e djathtë të gjoksit. Duke parë pozicionin e viktimës dhe plagën e shkaktuar, rezulton se plumbi ka ardhur përballë, paksa nga ana e djathtë. Me të njëjtin kalibër plumbi rezulton i vrarë edhe Faik Myrtaj, të cilit i kanë gjetur një plumb të kalibrit 9 mm, në shpatullën e djathtë të tij, me drejtim hyrjeje nga para. Ky person, në momentin që është qëlluar ndodhej përballë Kryeministrisë, në krahun tjetër të rrugës, mes Kullave Binjake dhe godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshe nga dy viktimat, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, i vrari i tretë në demonstratë, dyshohet se është ekzekutuar nga një tjetër armë. Hekuran Deda, i cili shfaqet në pamjet filmike, duke rënë nga një podium dërrase, sipas ekspertizës dhe këqyrjes së kufomës, është qëlluar me një plumb me fuqi tejshpuese, i cili ka shkaktuar plagën vdekjeprurëse. Paraprakisht dyshohet se arma që ka qëlluar në drejtim të tij ka qenë një automatik tip “AK 47”, ose i quajtur Kallashnikov, pasi plaga e shkaktuar ka të njëjtat karakteristika me atë që shkakton predha e kalibrit 7.62 mm, që qitet nga kjo lloj arme.

Këqyrja e vendit të ngjarjes

Kjo pjesë e hetimit, sipas ekspertëve është mjaft e rëndësishme, pasi tregon se në gjithë sipërfaqen ku ishin vendosur demonstruesit nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka rrëzon teorinë se viktimat mund të jenë vrarë nga vetë protestuesit. Menjëherë pas arrestimeve dhe shpërndarjes së demonstruesve, një grup i posaçëm hetimi ka rrethuar një pjesë të bulevardit dhe kryeministrinë dhe deri në orët e para të mëngjesit kanë këqyrur me imtësi gjithë sipërfaqen, që u cilësua si vendngjarje. Sipas rezultateve të këqyrjes, mësohet se jashtë gardhit rrethues të Kryeministrisë nuk është gjendur asnjë gëzhojë. Ndërsa në pjesën e brendshme të gardhit, hetuesit e çështjes kanë sekuestruar me qindra gëzhoja, që dyshohet se janë qitur nga armët e gardistëve të njësisë nr.2, të planifikuar me shërbim brenda territorit të kryeministrisë.

Planifikimi i shërbimit

Pas analizimit të të gjitha provave të mbledhura nga hetimet e para, rreth orës 4:00 të mëngjesit të datës 22 janar, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 6 urdhër –ndalimet e shumëpërfolura, për drejtuesit e Gardës së Republikës. Sipas prokurorisë, Komandanti i Gardës, komandantët e tre njësive dhe asaj speciale, kanë qenë të planifikuar me shërbim në zonën përreth Kryeministrisë. Atyre iu janë ngarkuar detyra konkrete, në bazë të rregullores mbi të cilën funksionon Garda e Republikës, e cila parashikon se është njësia 2, ajo që kujdeset për ruajtjen e Kryeministrit apo institucionit. Ndërsa njësitë e tjera kanë qenë të vendosura përpara Kryeministrisë dhe në dy krahët e saj, ku çdo skuadër kishte marrë detyra konkrete, për mënyrën se si duhet të operonte. Duke qenë se dyshimet e arsyeshme, të bazuara mbi provat e mbledhura gjatë hetimeve të para, tregonin se gardistët kanë qëlluar në drejtim të turmës, atëherë organi i akuzës ka lëshuar urdhër-ndalimet ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës, të cilët kanë varësi vertikale nga komandanti i gardës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›