E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Urdhër-arrestet s’do zbatohen, nëse Rama sulmon, do jem aty

SHKRUAN: Nevila Perndoj 25-01-2011 10:37

TIRANË- “Mandatet e arrestit nuk mund të zbatohen në mënyrë absolute në bazë të Kodit të Procedurës Penale”. Kjo është deklarata e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për agjencinë e lajmeve ANSA, teksa është pyetur për 6 mandat-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për drejtuesit e Gardës së Republikës. Kryeministri Berisha nuk i ka hequr asnjë presje qëndrimit të dy ditëve më parë në mbledhjen e qeverisë, teksa është shprehur po për këtë agjenci se ai nuk do të lejojë që kryetari i opozitës “të marrë me forcë Kryeministrinë”. “Nëse lideri i opozitës, Edi Rama, do të vendosë të sulmojë selinë e qeverisë, unë do të jem aty dhe nuk do ta lejoj që zyrën time ta marrë me forcë”, - tha Berisha për ANSA-n. Ndërkohë dje Kryeministri i vendit ka zhvilluar takime me drejtues të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, ku u ka shprehur atyre mirënjohjen për qëndrimin që ata mbajtën në mbrojtje të institucioneve në datën 21 janar. Dje, gjatë takimeve, Berisha foli edhe për një plan “B” të asaj që ai e cilëson grusht shteti. “U mor rregullorja dhe u vendosën arrestet. Shqiptarët duhet ta dinë se i vetmi dokument për arrestet ka qenë rregullorja e Gardës, e cila ka hierarkinë e komandës në Gardë. U kap zinxhiri i komandimit, i pari, i dyti, i treti, i katërti, i pesti dhe të gjithë në arrest. Situatë e paimagjinueshme për të gjithë ata që e dëgjuan”, - tha dje Berisha në takimin me Policinë e Shtetit. Berisha e shtjelloi më shumë qëndrimin e tij për “skenar puçist” në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive. “Unë dua t’i them zonjës Prokurore të Përgjithshme se ajo Gardë Republike, që ti kërkon ta dekapitosh për qëllime të tuat, të mbron edhe ty, ka detyrë të të mbrojë dhe ty, të ka mbrojtur dhe do të të mbrojë sërish, të jesh e sigurt, deri sa të mbash atë post. Dua t’i them Edvin Krisaq Ramës, që u deklaroi shqiptarëve se do të thërriste për protestën kundër horrave të gardës, se ata janë heronjtë e këtij vendi. Ata policë që ti i gjuaje me gurë, me hunj, me zjarr, janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi. Ndërsa ju që ngriheni për karrigen tuaj dhe përpiqeni të digjni demokracinë e këtij vendi do të digjeni vetë. Ju dhe ata që e vazhdojnë puçin me këtë skenar. Unë dua t’u them shqiptarëve se ky është skenari B”, - tha Berisha, duke shtuar se Prokuroria e Përgjithshme ka lënë në gjendje të lirë një nga protestuesit që, sipas tij, ishte i armatosur dhe i rrezikshëm për gardistët, ditën e 21 janarit. “Zonja që liron njeriun që u vërsul me pistoletë drejt gardistëve, të cilët e mbrojnë, duhet të ketë të qartë se ka hyrë në ujëra shumë të gabuara dhe se nuk është ky zbatimi i ligjit”, - tha ai. Për pasojë, Berisha u ka kërkuar ndihmë vendeve mike për një hetim të plotë. “Në këto rrethana të vazhdimit të skenarit B, unë kam kërkuar dhe kërkoj ndihmën e vendeve mike për një hetim të plotë”, - shtoi ai. Ndërsa në takimin me përfaqësues të Gardës së Republikës, ku i pranishëm ishte edhe Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi (ndaj të cilit është lëshuar një mandat-arresti), Berisha foli edhe për situatën e krijuar në momentin kur një prej protestuesve u qëllua me pasojë vdekjen. “Janë plagosur 81 efektivë, ja ku është Komandanti i Gardës, ishte së bashku me ju, janë plagosur 27 policë, ka pasur 3 viktima, mund të kishte shumë më tepër, por ju u treguat me një vetëpërmbajtje ekzemplare. Gardisti që ishte karshi atyre që hynë në territor, qëlloi në ajër, herën e dytë rregullorja e thotë asgjëso, nuk mund të pranonte të vritej ai, as nuk mund të pranonte të lëshonte armën apo të linte detyrën, ai qëlloi me qëllim në ajër”, - tha Berisha. Kryeministri foli edhe për qëndrimin e mbajtur nga ShISh-i. “Agjencia, e cila është përgjegjëse kryesore për informacionin, për rendin kushtetues të vendit, në të cilën taksapaguesit shqiptarë paguajnë 1000 burra e gra, i dha drejtorit tuaj në datën 20 janar zero informacion. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë dhe përbën një akt të paprecedent”, - tha Berisha në takimin me Policinë e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›