E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia 800 milione leke per KF Tiranen

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, e parashikuar për t’u zhvilluar në datën 1 mars, do të merret në shqyrtim propozimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Lulzim Basha për rritjen e kaputalit të KF Tirana SH.A.
Ideja e kreut të bashkisë së kryeqytetit është akordimi I një fondi me vlerë 800 milionë lekë të vjetra për klubin bardheblu. Këto para nuk do të përdoren për rrogat e lojtarëve, por për të përmirësuar funksionimin e klubit, duke nisur nga ndërtimi i Akademisë, përmirësimi i infrastrukturës, kushteve të stërvitjes, bazën materiale si edhe gjithçka tjetër që 24-herë kampionët kanë nevojë për funksionimin si një klub modern.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, është angazhuar personalisht për të krijuar kushte sa më të mira për futbollistët bardheblu, me synimin që kjo të reflektohet edhe në paraqitjen e skuadrës në fushën e lojës.
Krahas buxhetit të përcaktuar për Klubin e Tiranës, z.Basha dhe bordi drejtues po vazhdojnë të punojnë për afrimin e sa më shumë donancioneve dhe për të siguruar një sponsor për klubin. Ndërsa përveç premiove për rezultate në çdo ndeshje, siç ishin 100 mijë eurot për fitoren me teutën, kryebashkiaku ka premtuar se nëse sezoni mbyllet me fitimin e titullit kampion, skuadra do të përfitojë shpërblimin më të mirë që ka pasur ndonjëherë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›