Bashkia, “Buxheti i Qytetit”, tani në një gazetë online
Bashkia e Tiranës ka vendosur të bëjë më transparent për qytetarët e Tiranës shpërndarjen e buxhetit të Tiranës. Për këtë arsye Bashkia ka përgatitur një botim të ri në formën e një gazete, të quajtur Buxheti i Qytetit. Përmes këtij botimi synohet të jepet një përshkrim i qartë dhe i detajuar i buxhetit për vitin 2008, i burimeve nga vijnë të ardhurat e Bashkisë, por edhe i fushave ku këto të ardhura do të investohen. Buxheti i vitit 2008 është produkt i shumë konsultimeve të gjera në 22 seanca publike organizuar nëpërmjet takimeve “Gjykoni punën time” dhe “Thuaj fjalën tënde”, të zhvilluara nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës nga ku dolën edhe prioritet për këtë vit të cilat janë konceptuar si pjesë e një plani afatmesëm dhe afatgjatë ndërhyrjesh në dobi të kryeqytetasve dhe kryeqytetit. Ky buxhet synon së pari një planifikim gjithëpërfshirës të zhvillimit social, ekonomik, përmirësimin e shërbimeve publike në nivelin e pritshmërisë së kryeqytetasve. Së dyti synon një zhvillim të infrastrukturës rrugore, arsimore dhe të zonave informale si dhe një rikualifikim urban të shumë zonave të qytetit, nëpërmjet projekteve speciale për rritjen e cilësisë së jetës në komunitet.
Nëpërmjet kësaj gazetë online e cila do të shpërndahet edhe për publikun, qytetarët do të kenë mundësi të njihen me pasqyrën e investimeve sipas prioriteteve, në infrastrukturë, transport, investimet në sistemin arsimor, në strehim, kulturë, shërbimet publike, pastrim, ndriçim dhe gjelbërim. Gjithashtu në gazetë do të jenë të shpallura edhe detyrimet që duhet të paguajnë bizneset e qytetit dhe qytetarët. Gazeta “Buxheti i Qytetit” është botuar gjithashtu edhe në gjuhën angleze dhe do të shpërndahet tek të gjitha përfaqësitë, trupat diplomatikë apo donatorë që operojnë në Tiranë.
6 Maj 2008