E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH, indikatorët që do të rrisin pagën e mjekëve



Emanuela Sako

ISKSH-ja ka përcaktuar disa nga indikatorët që do të rrisin jo vetëm cilësinë e shërbimit në shërbimin shëndetësor parësor por edhe pagën e mjekut. Reforma e ndërmarrë në këtë drejtim, duke e financuar nga një burim i vetëm si Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, synon rritjen e cilësisë shërbimit ndaj popullatës. Kështu, duke rritur shërbimin ndaj pacientit, do të bëhet performanca e mjekëve, ku në bazë të saj do të vlerësohen dhe me kontribut financiar. Në bazë të kësaj nisme, sa më shumë dhe mirë të kujdeset personeli shëndetësor për popullatën që mbulon, aq më shumë lekë do të hyjnë në arkën e qendrave shëndetësore, të cilat do të përdoren për shpërblime dhe rritje rroge. Nëse mjekët do të shtojnë kujdesin ndaju pacientit do të dalin edhe më të përfituar dhe vlerësuar, qoftë dhe financiarisht.
Sistemi
Kjo po synohet të arrihet përmes stimulimit financiar, duke shpërblyer dhënësit e shërbimit për performancën dhe cilësinë e shërbimit, përkatësisht me 10 për qind dhe 5 për qind të buxhetit. Ndërsa, për matjen e cilësisë së shërbimit, pra për 5 për qind shtesë, janë përcaktuar 6 indikatorë për të cilët është vendosur një sistem pikëzimi. Përmes këtij sistemi çdo indikator do të matet proporcionalisht dhe bazuar mbi pikët e marra, do të bëhet dhe shpërndarja e buxhetit përkatës, për të gjitha qendrat shëndetësore. “Sa më shumë dhe mirë të kujdeset personeli shëndetësor për popullatën që mbulon, aq më shumë lekë do të hyjnë në arkën e qendrave shëndetësore, të cilat do të përdoren për shpërblime dhe rritje rroge”,- theksoi zëdhënësja e ISKSH-së, Etiola Kola. Sipas saj, përcaktimi i indikatorëve për matjen e cilësisë është bërë duke u nisur nga praktika të njohura botërore dhe bazohet mbi indikatorë që janë sinjifikativë për sistemin shëndetësor të një vendi. Parimi i mjekësisë familjare që zbatohet në shërbimin shëndetësor parësor, sipas saj, ka si bazë kujdesin shëndetësor për të gjithë popullatën, që është e regjistruar te mjeku përkatës. Gjithashtu, tregues i cilësisë së shërbimit është edhe ndjekja e kujdesi ndaj të sëmurëve kronikë, të cilët duhet që të vizitohen çdo muaj nga mjeku i familjes, në mënyrë që të monitorojë ecurinë e shëndetit të tyre dhe efikasitetin e mjekimit.
Pacientët
Kjo nismë do të ndikojë edhe te pacientët. Jo në pak raste pacientët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj shërbimit që ofrojnë bluzat e bardha. Sipas tyre, mjekët nuk japin maksimumin në cilësinë e shërbimit që ofrojnë, ku shpeshherë abuzojnë me ta. Por rritja e pagesës nëpërmjet performancës do të bënte që mjekët të japin më shumë për pacientët nëpërmjet vizitave të kryera dhe ndihmës që iu ofrojnë për shëndetin e tyre. Kështu, mjekët në një farë mënyre janë të detyruar t’iu përshtaten këtyre kushteve për një emër më të mirë në karrierë dhe për përfitime më të larta.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›