Matura Shtetërore, MASH fushatë informimi në të gjithë vendin
Strukturat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë nisur një fushatë këshillimi për nxënësit që do t’i nënshtrohen këtë vit provimeve të Maturës Shtetërore, me synim që t’i konsultojnë maturantët që të kryejnë përzgjedhjen e duhur të degëve universitare në bazë të prirjeve. Në të gjitha drejtoritë arsimore të rretheve në vend po zhvillohen seanca dhe takime të veçanta me specialistët, të cilët udhëzojnë nxënësit në plotësimin e formularit A2, ku do të renditen dhjetë preferencat për ndjekjen e studimeve të larta. Ndërkohë në ndryshim nga viti i kaluar, ku mjaft maturantë janë s’kualifikuar nga e drejta e studimeve për shkak të moszgjidhjes së duhur të degëve, këtë vit është përcaktuar që përveç konsultimeve me mësues të shkollave përkatëse, të dërgohen dhe specialistët në rrethe për të informuar nxënësit. Kjo fushatë, e cila po zhvillohet përmes Këshillimit të Karrierës, do të kryhet përgjatë të gjithë muajit maj, kohë në të cilën pritet të nisë dhe plotësimi i formuarit A2 (për përzgjedhjen e degëve universitare).
6 Maj 2008