Bashkia: FC Kamza e re, skuadra që përfaqëson qytetin
Për bashkinë e Kamzës skuadra e ndërtuar nga Naim Qarri nuk përfaqëson qytetin, kështu që ekipi i drejtuar nga trajneri Sajmir Malko nuk ka shanse që të përdorë stadiumin dhe asetet e tjera
Nga ILIR CARA
Për bashkinë e Kamzës skuadra e ndërtuar nga Naim Qarri nuk përfaqëson qytetin, kështu që ekipi i drejtuar nga trajneri Sajmir Malko nuk ka shanse që të përdorë stadiumin dhe asetet e tjera. Me anë të një komunikate për shtyp, bashkia sqaron se FC Kamza e re, është e vetmja skuadër që përfaqëson qytetin. Ja komunikata e plotë e bashkisë:
KF Kamza sh.a., e pezulluar me vendim gjykate, pa të drejtë shfrytëzimi të infrastrukturës sportive. Bashkia Kamëz bën me dije se gjatë ditëve të fundit ka tentuar që brenda afateve kohore të bëjë gjithçka gati për fillimin e sezonit të ri futbollistik. Megjithatë, edhe pse ka dëshmuar gatishmëri dhe përkushtim në zgjidhjen e situatës së krijuar, nuk ka gjetur mbështetjen e FSHF-së për bashkëpunim me qëllim federimin e ekipit të ri të qytetit.
Në këto kushte, bashkia deklaron se shoqëria FC Kamza e re, në të cilën është aksionare, është e vetmja shoqëri e njohur ligjërisht, që administron skuadrën e futbollit të Kamzës. Për këtë bazohet në këto fakte:
1. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i datës 30.7.2012, ku shpallet pezullimi i aktivitetit të shoqërisë KF Kamza sh.a., duke pranuar kërkesën e Këshillit Bashkiak Kamëz për pezullimin e veprimtarisë së KF Kamza.
2. Vendimi i Këshillit Bashkiak Kamëz për kalimin e 51% të aksioneve të shoqërisë FK Kamza në favor të Bashkisë Kamëz.
3. Lejen për shfrytëzimin e stadiumit Kamëz, së bashku me asetet e tjera, miratuar nga Këshilli Bashkiak.
4. Mbështetjen e strukturave të Policisë së Shtetit, konkretisht të Komisariatit nr. 5 të Policisë, për mbarëvajtjen e evenimenteve futbollistike.
5. Gjithashtu, disponojmë edhe dokumente, me të cilat vërtetohet se kompania Qarri 02 është edhe debitore ndaj Bashkisë Kamëz për sa u përket tatim-taksave në shumën 150,775 lekë.
Duke iu referuar këtyre fakteve, vetëm skuadra e administruar nga institucioni i bashkisë ka të drejtën e shfrytëzimit të aseteve dhe infrastrukturës sportive të qytetit dhe të përfaqësojë Kamzën në Kampionatin e Futbollit të Kategorisë së Parë, dhe jo një ekip, shoqëria administruese e të cilit është pezulluar me vendim gjykate.
Kamza ndryshon kurs, udhëton pa firo drejt Sarandës
Në dy ditët e fundit ka pasur lajme kontradiktore për sa i përket Kamzës së administruar nga presidenti Naim Qarri, sepse thuhej se skuadra mund ta bojkotoj startin e sezonit. Gjithashtu ka qenë presidenti Qarri ai që pohoi se disa lojtarë me eksperiencë (F.Tafaj, Beqiri, Ishka, Kapaj) do ta lëshonin Kamzën për tu transferuar në kryeqytet tek Partizani dhe Dinamo. Por pasditja e djeshme ka sqaruar gjithçka, pasi skuadra ka udhëtuar drejt Sarandës e plotë dhe pas asnjë firo. Pra sot Kamza do të jetë në fushë ndaj Butrintit. Trajneri Sajmir Malko ka grumbulluar këto futbollistë për fillimin e kampionatit: Bytyçi e Beqaj (portierë); Beqiri, F.Tafaj, Muça, Mullaj, Boja dhe Sharko (mbrojtësa); Ishka, Kaloti, Ruço, Dosti, Kapaj, Lame, Koleci (mesfushorë); Maho, Prnezha, Mehmeti (sulmues).
