Vetevritet pas zhgenjimit ne Londer 2012

Pas vetëvrasjes së Sergei Ovçinikov, ish-trajnerit të përfaqësueses ruse të volejbollit për femra është ngritur një hipotezë dramatike. Sipas mediave ruse, tekniku ka vendosur ti japë fund jetës pas eliminimit të parakohëshëm të skuadrës së tij, që është cilësuar edhe një rezultat zhgënjyes gjatë Olimpiadës “Londra 2012”.
43-vjeçari Ovçinikov duket se nuk e ka përballuar dhimbjen e shkaktuar nga dështimi për humbjen dhe eliminimin në çerekfinalet e aktivitetit. Kjo edhe për faktin se përfaqësuesja ruse e volejbollit për femra cilësohej si favorite për medalje. Megjithatë, skuadra u mposht në përballjen direkte nga Brazili, pasi shpërdoroi plot gjashtë “match point”.
Ovçinikov u vetëvar në dhomën e një hoteli në Porek në Istria, ku ndodhej në grumbullim me skuadrën e klubit të Dinamos së Moskës që e drejtonte gjatë kampioantit, paralelisht me punën si trajner i përfaqësueses.
Në Rusi janë të shumtë ata që i besojnë hipotezës se Ovçinikov vendosi ti jepte fund jetës prej goditjes së marrë në Londër, ku prej zhgënjimit ai hyri në depresion të thellë. I këtij mendimi është Vladimir Kuziutkin, paraardhësi i tij në stolin e përfaqësueses së femrave, por edhe Vladimir Alekno, trajneri aktual i përfaqësueses ruse të volejbollit për meshkuj.
Madje, ata kanë shfrytëzuar rastin ti kërkojnë mediave që të mos jenë shumë të ashpra me trajnerët kur rezultatet nuk janë ato që priten, pikërisht për të evituar tragjedi të tilla. Por, kundër hipotezës se Ovçinikov u vetëvra prej rezultateve jo në lartësinë e duhur janë miqtë e tij, të cilët e kujtojnë si një person plot vitalitet dhe optimizëm.