Turi i trete i turneut US Open

Në momentin kur “Grand Slam”-i i fundit sezonal, US Open ende nuk ka hyrë në fazën e nxehtë, për të tërhequr vëmendjen drejt aktivitetit të rëndësishëm ka menduar Endi Rodik. Tenisti amerikan ka bërë të ditur se pas këtij turneu do të tërhiqet nga sporti.
Deklarata e ish-numrit 1 të botës, që ka triumfuar në US Open në vitin 2003 ka ardhur pikërisht në ditën kur ka festuar 30-vjetorin e lindjes. “është koha e duhur, nuk e di nëse mund të jem në gjendje fizike për të luajtur edhe në vitin 2013”, deklaroi Rodik, që në karrierë ka fituar 32 turne.
Duke u kthyer të tenisi në fushë, Roxher Federer është kualifikuar pa problem në turin e tretë. Zvicerani, që aktualisht është numri 1 i klasifikimit botëror mposhti në tre sete 6-2, 6-3, 6-2 gjermanin Bjorn Fau. Tashmë kampioni nga Bazeli do të përballet me spanjollin Fernando Verdasko që fitoi përballë bashkëkombasit Albert Ramos për një vend në 1/8-at.
Surprizë në turneun për meshkuj ishte eliminimi i Xho-Uilfred Tsonga nga sllovaku Martin Klizan. Spanjolli Nikolas Almagro fitoi duelin maratonë me gjermanin Filip Petshner, japonezi Kei Nishikori triumfoi përballë amerikanin Tim Smiçzek, ndërsa Felisiano Lopez fitoi derbin spanjoll me Pablo Andujar.
Për femra, vazhdon paraqitja e shkëlqyer e Ana Ivanoviç që kualifikohet në turin e tretë, pasi mposhti në dy sete suedezen Arvidson. Kualifikohet edhe finalistja e Grand Slam-it të fundit, Agnieska Radvanska, që gjithsesi u detyrua të fitonte me përmbysje përballë spanjolles Suarez Navarro.
Bind rusja Maria Kirilenko që e kontrolloi plotësisht sfidën me hungarezen Greta Arn, ndërsa nuk ka zhgënjyer as Jelena Jankoviç. Në turin e tretë kualifikohet edhe Serena Uilliams, tre herë fituese e Us Open, që mposhti spanjollen Martinez Sançez në dy sete, ndërsa zhgënjen më e madhja e motrave Uilliams, Venus, e cila u eliminua nga gjermania Anxhelik Kerber.