Partizani drejt Velipojës për fillimin e një epoke të re
Dje futbollistët kanë nënshkruar kontratat e reja me administratorin Sallaku dhe shpresohet që ndaj Adës ta nisin mbarë sezonin e ringritjes
Nga ILIR CARA
Para shumë vitesh 1 shtatori ishte dita e parë e shkollës, por si për koiçidencë 1 shtatori i 2012-ës mund të shënojë hapjen e një faqe të re në historinë e Partizanit. Pas drejtimit 13 vjeçar nga ana e Albert Xhanit te demat e kuq është premtuar se po nis një epokë e re, epoka e rikthimit të Partizanit në piedestalin që i takon. Kjo është panoramika e momentit dhe dëshira e tifozerisë së zjarrtë të skuadrës, që e ka marrë malli për një titull kampion, sepse i fundit është arritur para 19 viteve. Partizani i sezonit të ri vjen në administrimin e Lulëzim Sallakut, që bashkëpunëtor dhe aksionar në shoqëri ka edhe Paro Laçi. Ndryshimi i ndodhur në kokë thuhet se ka ngjallur edhe interesin e biznesmenëve të ndryshëm, që janë të gatshëm të kontribuojnë për legjendën e kuqe. Partizani sot do të udhëtojë drejt Velipojës dhe kjo sfidë shikohet si fillimi i epokës së ringritjes së të kuqve të kryeqytetit. Dje futbollistët që përgatiten me ekipin kanë nënshkruar kontratat e reja me administratorin Lulëzim Sallaku, por deri në mbrëmje nuk kishte ndonjë afrim të bujshëm, nga ato që prisnin drejtuesit, kjo për vetë faktin se futbollistët cilësorë kanë firmosur prej ditësh me klubet respektive. Gjithsesi, drejtuesit janë të sigurt se nga ky grup do të marrin më të mirën, në mënyrë që deri në përfundim të fazës së parë të jenë brenda objektivave dhe le të jetë merkatoja e dimrit ajo që do të bëjë diferencën e Partizanit të shumëdëshiruar.
Sot nisja drejt Velipojës Ishte menduar që Partizani do të nisej të premten drejt Velipojës, në mënyrë që të grumbullohej një ditë para ndeshjes me Adën. Por dje drejtuesit kanë vendosur që skuadra të mbetet e grumbulluar në Durrës dhe zhvendosje drejt Velipojës të bëhet në mesditën e sotme. Dje ka qenë ditë nënshkrimi kontratash për të kuqtë, procedurë e cila ka vijuar deri në mbrëmje dhe mbase kjo ka qenë edhe një nga shkaqet që i ka detyruar drejtuesit që grumbullimi i ekipit të vijonte në Durrës. Për sa i përket formacionit trajneri Nikolin Çoçlli ende nuk e ka përcaktuar ekzaktësisht njëmbëdhjetëshen, por pak a shumë do të jetë ai grup që luajti në miqësoren e fundit me Sukthin.
Hithi: Jemi të vendosur në misionin superligë
Kampionati i të kuqve nis në transfertën e Velipojës, por kjo nuk përbën justifikim, pasi ndaj këtij Partizani kërkohet shumë, me qëllimin e vetëm, rikthim në Kategorinë Superiore. Deri mbrëmë nuk ishte përcaktuar se kush do të jetë kapiteni i të kuqve, por gjasat janë që shiriti do ti kalojë mbrojtësit Indrit Hithi. I kontaktuar dje nga Sporti shqiptar mbrojtësi nuk kishte informacion për këtë gjë, pasi do të jetë stafi ai që do të përcaktojë. Gjithsesi Hithi e merr pozicionin e kapitenit dhe si i tillë shprehet se në Velipojë merr rrugë një Partizan i ri, i cili duhet të gëzojë të gjithë mbështetësit dhe të realizojë qëllimin. Nuk ka rëndësi kush do ta mbajë shiritin, nëse do të ma ofronin, padyshim do të ishte një vlerësim dhe përgjegjësi e madhe për mua. Ajo që ka rëndësi duhet ta nisim mbarë misionin, që të gjithë i kemi vënë vetes, rikthimin e Partizanit në Superligë. Ambjenti ka ndryshuar për mirë, prandaj nuk ka arsye për të dyshuar. Na mbetët që sot ndaj Adës të marrin rezultatin e parë pozitiv për këtë sezon ringritje,- u shpreh për Sportin shqiptar mbrojtësi Indrit Hithi.
Vendosen autobusë falas për tifozët e kuq
Ndonëse luajnë në transfertë, Partizanit nuk do ti mungojë mbështetësit, kjo edhe për vetë faktin se janë vendosur 2 autobusë, në mënyrë që tifozët të udhëtojnë falas. Nisja e tifozëve do të bëhet e organizuar dhe rreth orës 13:00 autobusët do të nisen nga pallati i sportit Asllan Rusi.
