E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Në Kuvendin e PD-së u manipulua vota”

Autori i Lajmit: RedaksiaAleksandër Biberaj, i përjashtuar nga Këshilli i ri Kombëtar i demokratëve nga vota e delegatëve, akuzon lidershipin e Partisë Demokratike se ka manipuluar numërimin e votave dhe pa përcaktuar vetë renditjen e të zgjedhurve. Sipas tij janë zëvendësuar vlerat me antivlera në këtë forum të lartë drejtues të selisë blu. Por i pyetur nëse përfshin edhe kryetarin Berisha në akuzën e tij ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike, Biberaj refuzoi të fliste me emra. Më tej ai ka falënderuar delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së për votën që i kanë dhënë edhe fatkeqësisht ajo votë nuk është numëruar. Sipas Biberajt procesit të numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së i ka munguar totalisht transparenca, gjë që përbën edhe një cenim të rëndë të themelit të demokracisë, për të mos thënë që manipulimi dhe falsifikimi i votës shënon edhe fundin e demokracisë.
Deklarata
“Fatkeqësisht në PD çdo ditë e më shumë po mbytet fryma intelektuale dhe ajo qytetare, fryma e debatit po zëvendësohet me atë të nënshtrimit dhe të servilizmit ekstrem, fryma e bashkëpunimit po zëvendësohet me atë të klanit dhe të spastrimeve, apo përjashtimeve politike, vendimmarrja kolegjiale po zëvendësohet nga vendimmarrja klienteliste dhe autoritariste e UNI-t, vlerat po zëvendësohen nga antivlera; fenomene këto tepër negative që po dëmtojnë rëndë të ardhmen e PD-së, por edhe po shuajnë gradualisht traditën, kontributet dhe vetë historinë pozitiviste të PD-së”, - deklaroi ai. Biberaj u shpreh se po vazhdon të analizojë situatën e sëmurë rëndë në PD, duke shprehur njëkohësisht edhe bindjen e tij se nuk mund ta nxjerrë nga politika një klikë të korruptuarish që padrejtësisht ka marrë në zotërim PD-në. Duke gjykuar se ka humbur një betejë, por jo luftën, ai ka shtuar se nuk ka gjë më fisnike, qytetare dhe patriotike sesa të luftosh për parimet dhe idealet e lirisë dhe të demokracisë dhe se ndjehet po aq i motivuar sa edhe më 8 Dhjetor të vitit 1990. Beteja kundër drejtuesve të PD e ish-deputetit të Tropojë Biberaj filloi ndërsa mazhoranca mori nismën për të votuar ligjin për lustracionin, por drafti për të cilin ai ishte ngarkuar të hartonte nuk u mor parasysh. Në një kohë të shkurtër Biberaj u përjashtua dhe nga delegacioni ynë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zëvendëspresident i të cilës ishte. Kritikat e tij publike ndaj lidershipit të PD dhe ndaj atij që e quante klani Topalli, mesa duket i rezervuan edhe përjashtimin nga kandidimi për deputet. Muaj më vonë Kuvendi Kombëtar i 14 dhjetorit nuk përfshiu në votim projekt-statutin e tij për legalizim fraksionesh dhe zgjedhjen drejtuesve të partisë në bazë të parimit një anëtar një votë. Goditja finale ndaj Biberajt ishte mbetja jashtë Këshillit Kombëtar, prej ku do të dalë kryesia e re e demokratëve, pjesë e të cilës ai nuk mund të jetë më.

Ky lajm është publikuar: 21/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›