Zbatimi i MSA-së, Konfindustria takim me Lohan
Autori i Lajmit: RedaksiaKreu i Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan ka zhvilluar dje një takim me përfaqësuesit e Konfindustrisë në lidhje me problematikën e eksporteve shqiptare drejt BE-së në kushtet e procesit të integrimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në fuqi. Në takim ishin të pranishëm përfaqësuesit lider të industrive shqiptare, që eksportojnë ose kanë mundësi eksporti në vendet e Bashkimit Evropian si industria mekanike, industria e prodhimit të letrës, industria energjitike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të vezëve, industria e birrës, industria tekstile, industria e prodhimit të këpucëve, industria e prodhimit të miellit, etj. Ambasadori Lohan dhe stafi teknik i Komisionit paraqiti para të pranishmeve politikat dhe mjetet, që Komisioni i BE-së përdor dhe jep për nxitjen e eksporteve të vendeve kandidate përfshi Shqipërinë në zbatim të MSA. Nga përfaqësuesit e industrive të pranishëm u paraqitën raste të problematikës së zbatimit të MSA-së në eksportet shqiptare drejtë BE-së ku janë vërejtur, pengesa të natyrës “teknike” nga institucionet doganore edhe kur ligjërisht ka qenë e lejuar hyrja e prodhimeve me origjinë shqiptare, çështje të përmirësimit të punës së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe BE në fushën e certifikimit, standardizimit, akreditimit, të domosdoshmërisë së ngritjes dhe funksionimit më të mirë të institucioneve rregullatorë në fushën e sigurisë ushqimore, të garantimit të konkurrencës së lirë dhe politikave të ndershme tregtare, të shkollimit profesional mbështetur në nevojat e Tregut të Punës, etj. Në takim u shpreh vullneti i plotë i institucionalizimit të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të Konfindustrisë me strukturave të specializuara të Komisionit të Bashkimit Evropian për informimin dhe zgjidhjen e problemeve të industrive shqiptare në kushtet e MSA dhe proçesit të integrimit të Shqipërisë.
Ky lajm është publikuar: 21/12/2009