Bashkia: Rama po vendos konfliktin politik mbi interesat e qytetarëve
Bashkia e Tiranës ka reaguar sot pas akuzave të kryesocialistit Rama se prerja e drurëve në parkun e Tiranës po bëhet për interesa klienteliste. Në një deklaratë për shtyp, Bashkia e Tiranës ka theksuar se Rama zgjodhi sërish këtë të dielë për të vënë konfliktin politik mbi interesat e qytetarëve të Tiranës.
“Rruga e Elbasanit është një arterie e rëndësishme kombëtare si porta kryesore hyrëse dhe dalëse për linden dhe juglindjen e vendit dhe një prej rrugëve urbane të Tiranës, që prej kohësh ndjen nevojën e zgjerimit për të akomoduar nevojat e komunitetit dhe banorëve të komunave fqinjë. Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës se banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë të qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Projekti i zgjerimit me 6 korsi i rrugës së Elbasanit parashikon mbjelljen e 480 pemëve dekorative” thekson Bashkia.
Bashkia i ka rikujtuar Ramës se në kohën ku ai e drejtonte kryeqytetin, parkut për 11 vjet nuk ju dha statusi ligjor për ta mbrojtur atë nga ndërhyrjet e shumta që ndodhën duke shtuar se sot po investohet për rehabilitimin dhe zmadhimin e territorit të gjelbëruar të Parkut dhe ka gati projektin për t`i dhënë atij statusin ligjor mbrojtës të munguar deri më tani.
“Duke përmirësuar rrugët e qytetit tonë dhe duke shtuar hapësirat e blerta, Bashkia e Tiranës por merr përgjegjësitë e saj për të sotmen dhe të ardhmen e Tiranës. I bëjmë thirrje z. Rama se nëse e gjen të pamundshme përballjen me përgjegjësitë e tij si-ish kryetar, të ngrihet në nivelin e përgjegjshmërisë qytetare dhe të vendosë interesat e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve, mbi logjikën e ngushtë të konfliktit politik” përfundon deklarata e bashkisë së kryeqytetit.