Ndryshimet në qeveri, Berisha vlerëson figurën e Nokës

Kryeministri Sali Berisha komentoi për herë të parë, ndryshimet në qeverinë e tij. Vetëm një ditë pas emërimit në krye të ministrisë së brendshme, të sekretarit organizativ të PD-së, Berisha hodhi poshtë zërat sipas të cilave Flamur Noka u shpërblye për avokatinë e zjarrtë që i ka bërë qeverisjes Berisha. Sipas kreut të mazhorancës, Noka është nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe kontribuesit kryesorë të selisë blu.
“Zoti Noka është një nga bashkëpunëtorët e mi të ngushte me një integritet të lartë, i cili me përkushtim të madh ka punuar për suksesin e kësaj qeverisje. Në qoftë se mendohet se postet partiake janë një dënim për postet qeveritare, shtetërore, është një gabim. Zoti Noka nuk u kandidua për gjykatës apo funksione të tjera, por u kandidua për një nga postet e rëndësishme të maxhorancës dhe ai mbante një post shumë të rëndësishëm në hierarkinë e Partisë Demokratike. Unë kam besim të madh se ju gazetarët, se qytetarët shqiptarë do të kenë tek zoti Noka, një ministër të përkushtuar, transparent, të vendosur për të bërë gjithçka në mbrojtje ligjore të interesave të tyre.” shtoi Berisha.
Lidhur me ndryshimet e bërë nga forca e dytë më e madhe në koalicionin qeverisës, Berisha tha se: "Ndryshimet që ka bërë forca tjetër politike, forca e dytë , më e madhe e koalicionit, janë ndryshime që kjo forcë i ka gjykuar në interesin e saj më të mirë. Unë, në zbatim të marrëveshjes i kam propozuar Presidentit të Republikës emërimin në poste të personaliteteve të propozuara nga LSI, me besim të plotë se ata do të përmbushin me dinjitet të madh detyrat e besuara. Ata kanë kredencialet e tyre të plota për tu përballur me dinjitet me sfidat dhe detyrat e misionit të tyre të ri. Sikundër kam falënderuar zotërinjtë që largohen nga qeveria, kam falënderuar zotin Nasip Naço dhe zotin Petrit Vasili për bashkëpunimin e shkëlqyer që unë kam patur, luajal , të suksesshëm. Ky është qëndrimi dhe shpjegimi im për të gjitha ndryshimet".
Gjithashtu kryeministri Sali Berisha e cilësoi një proces tërësisht transparent atë të dhënies se liçencës për Lotarinë Kombëtare. Ndërsa mirëpriti deklaratat e opozitës se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen, ai shtoi se maxhoranca është gati ta votojë bashkë me ta ngritjen e këtij komisioni.
“Proçesi ka qenë një proces publik, tërësisht transparent. I botuar në mediat ndërkombëtare, me kritere të përcaktuara, jo të shpikura. Natyrisht kritere ndër më rigorozet të përcaktuara nga dy qendrat ndërkombëtarë. Qendra evropiane e lotarisë dhe ajo botërore. Kriteri i artë i listës së kritereve të tyre është 1; licenca e transparencës. Që përbën një dokument simbolik që këto kompani ja lëshojnë kompanive. Shqipëria nuk mund ta shmangte këtë kriter. Ne vendosëm këtë kriter, por ky kriter përjashtonte një seri kompanish, dhjetra syresh e plotësonin kriterin. Për reagimet e bixhozxhive, s`kam asnjë impresion prej tyre. Po të ishte për mua lotaria do ishte e ndaluar, por s`mund të diktoj vullnetin tim në këtë rast" shtoi Berisha.
Ndërkohë që Kryeministri kosovar Hashim Thaçi sqaroi se çështja e taksës së çimentos midis dy vendeve do të zgjidhet brenda pak kohësh. "Ditët e ardhshme do të takohen autoritetet shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhomat ekonomike do të diskutojnë, në të njëjtën kohë, po ashtu dhe ministritë përkatëse. Ndërkohë flas me besim të plotë se do të jetë çështje e tejkaluar"shtoi ai.
Ndërsa në lidhje me largimin e Hajredin Kuçit nga posti i zv.kryeministrit, Thaçi vlerësoi rolin e tij në qeveri. Ai sqaroi se vendimi për të dhënë dorëheqjen ishte i vetë Kuçit