Bashkia Shkodër, 600 çanta shkollore për fëmijët e familjeve në nevojë

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Bashkia e Shkodrës ka nisur shpërndarjen e rreth 600 çantave shkollore për fëmijët dhe të rinjtë e familjeve që kanë më shumë nevojë për mbështetje, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Nisma po realizohet në bashkëpunim me donatorë dhe partnerë të ndryshëm, me synim ofrimin e një ndihme konkrete për familjet në të gjithë territorin e bashkisë.
Shpërndarja e çantave do të vijojë gjatë gjithë kësaj jave përmes rrjetit të Qendrave Komunitare, duke bërë të mundur që mbështetja të shkojë sa më pranë fëmijëve dhe familjeve përfituese.
Bashkia Shkodër thekson se nisma synon që fillimi i vitit shkollor të jetë një moment gëzimi, mundësish dhe shprese për të gjithë fëmijët, pavarësisht vështirësive ekonomike të familjeve të tyre.
Në këtë nismë janë angazhuar, ndër të tjerë, Hope for the World Foundation, IJR Student Shkodër, YEA – Young Entrepreneurs Albania dhe Kisha Guri i Themelit Shkodër.
Bashkia ka shprehur mirënjohjen për donatorët dhe partnerët që kanë kontribuar në realizimin e kësaj nisme, e cila synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve dhe t’u krijojë fëmijëve kushte më të mira për nisjen e vitit të ri shkollor.
/gj.m/r.e/