Bashkia: Zëvendësministri Poni të shkojë në Prokurori
Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se zëvendësministri Ferdinand Poni duhet të drejtohet në Prokurori për shpifjet që ka bërë kundrejt këtij institucioni. Zëdhënësja e Bashkisë i është drejtuar zyrtarisht zëvendësministrit Poni, që të shlyejë edhe detyrimet vendore, përveçse të merret me organet e Drejtësisë.
Bashkia ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzim penal kundrejt tij për veprën penale shpifje e qëllimshme për shkak të detyrës. Njëkohësisht Bashkia bën të ditur se për Ponin është bërë padi civile për dëmshpërblimin e imazhit të cenuar të Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar prej tij mbjelljen e 1250 pemëve të llojit bli. “Shtetasi Ferdinand Poni të shkojë e të faktojë pranë organeve të Drejtësisë shpifjet dhe akuzat e lëshuara papërgjegjshmërisht, duke uzurpuar ekranet e qytetarëve kundër Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj. Por rekordin e thyen një nga ndotësit më të mëdhenj, vetë shtetasi Ferdinad Njazi Poni, zëvendësministër i Brendshëm, i cili ka 3 vjet pa paguar asnjë taksë apo tatim, pra një shkelje e ligjit me të dyja këmbët. I kujtojmë shtetasit Ferdinand Njazi Poni që të shkojë në Prokurori e të përgjigjet për kallëzimin me nr. 1875 E, depozituar ndaj tij nga Bashkia e Tiranës, shpifje për shkak të detyrës. I kujtojmë gjithashtu se nuk gëzon asnjë status të veçantë. Përkundrazi. Ndaj të shkojë në njësinë bashkiake dhe të paguajë detyrimet si të gjithë qytetarët e Tiranës”, - shprehet zëdhënësja e Bashkisë, Joana Bushi.
Ministrat dhe zëvendësministrat që nuk paguajnë taksat vendore
Lulzim Basha ministër i Brendshëm
Arben Imami ministër i Mbrojtjes
Bujar Nishani ministër i Drejtësisë
Sokol Olldashi ministër i Punëve Publike
Myqerem Tafaj ministër i Arsimit dhe Shkencës
Petrit Vasili ministër i Shëndetësisë
Edit Harxhi zëvendësministre e Jashtme
Iva Zajmi zëvendësministre e Brendshme
Zana Xhuka zëvendësministre e Mbrojtjes
Jorida Tabaku zëvendësministre e Integrimit
Nezir Haldeda zëvendësministër i Financave
Alfred Rushaj zëvendësministër i Financave
Neritan Alibali zëvendësministër i Ekonomisë Energjetikës
Eno Bozdo zëvendësministër i Ekonomisë Energjetikës
Edmond Haxhinasto zëvendësministër i Punëve Publike
Fedrinand Poni zëvendësministër i Brendshëm
19 Dhjetor 2009