Bashkia: "Taksat do jua mbajmë nga sigurimet"
Gjobë për minibashkitë që s'do mbledhin taksat deri në fund të vitit, më problematike Njësia Nr.10. Specialistëve thanë se do të merren masat si bllokimi i certifikatave, ndjekja e debitorëve nëpërmjet Sigurimeve.
TIRANE- Mbledhja e taksave për kategorinë e familjarëve nëntë-mujorin e parë të këtij viti ka ecur me ritme më të mira krahasuar me një vit më parë, por sërish ka probleme për mbledhjen e tyre, sidomos në një pjesë të njësive, kryesisht ato të djathta. Sipas specialistëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, të 11 minibashkive iu janë dërguar shkresa që t'u dërgojnë planin se sa është niveli i taksave që kanë mbledhur dhe cili është parashikimi i tyre. Por e vetmja njësi që nuk u ka kthyer asnjë përgjigje në lidhje me këtë shkresë deri tani është njësia Nr.10. Gjithashtu, Drejtoria e Taksave u ka kërkuar të gjitha minibashkive emrat e debitorëve, në mënyrë që ata persona që janë të siguruar të ndiqen nëpërmjet Sigurimeve Shoqërore. Sipas specialistëve, deri në fund të vitit do të merren të gjitha masat e mundshme, siç janë bllokimi i certifikatave, ndjekja e debitorëve nëpërmjet Sigurimeve Shoqërore dhe, nëse taksat nuk do të mblidhen, atëherë do të gjobiten agjentët tatimorë, që në këtë rast janë njësitë bashkiake, deri në 50% të vlerës së taksave që nuk kanë mbledhur. Por sipas të dhënave për nëntëmujorin e këtij viti, më problematike është minibashkia Nr.10, pasi kjo njësi ka mbledhur një numër shumë të vogël të taksave që duhet të paguajnë familjet. Ndërkohë që në njësi të tjera mbledhja e taksave po ecën me ritme shumë të mira, sepse kanë paguar taksat më shumë se 7 mijë familje. Sipas të dhënave për nëntëmujorin e parë të mbledhjes së këtyre taksave, rezulton se të ardhurat e mbledhura në total nga këto tri taksa janë përafërsisht 178 milionë lekë. Qytetarët duhet të paguajnë tri detyrime ndaj Bashkisë, taksën e gjelbër 300 lekë, taksën e pastrimit 3600 lekë dhe taksën e ndërtesës, e cila është në varësi të metrave katrorë të shtëpisë, por edhe të vitit që është ndërtuar. Pasi për ndërtesat para vitit 1993 paguhet 10.5 lekë/m2, ndërsa për ndërtesat pas 1993-it qytetarët do paguajnë 21 lekë/m2. Të ardhurat nga tarifa e pastrimit për të 11-ta njësitë në këtë periudhë nëntëmujore janë gati 126 milionë lekë. Ndërsa për taksën e ndërtesës janë mbledhur deri tani 38 milionë lekë, ndërkohë që taksa e gjelbër është edhe taksa më e paguar në numër familjesh pasi ka dhe vlerën më të vogël; shuma e mbledhur për këtë taksë është 13 milionë lekë. Sipas specialistëve të Tregje-Taksave, ecuri të mirë kanë njësia Nr.4, e cila ka dhe numrin më të madh të familjeve që kanë paguar taksat; mesatarisht për të tria taksat i bie që të kenë paguar 10 mijë familje, më pas vjen njësia Nr.3, ajo 5 dhe njësia 2. Ndërsa njësia që drejtohet nga Gerti Bogdani, është me mbrapa nga të gjitha njësitë e tjera dhe më pas vjen njësia Nr.8 dhe ajo 7.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)