E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e 4 marsit '97. Dosja në gjykatë

Nga Klodiana Lala
Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë dosjen e plotë për ngjarjen e 4 marsit 1997, ku mbeti i vrarë dhe më pas u dogj ish-efektivi i Komisariatit të Policisë Vlorë, Gjergji Mehmeti. Në gjyq 10 të pandehur. 

TIRANE-Zbardhet masakra e Qafë-Gjashtës. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur me 4 mars 1997 dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen penale në ngarkim ndaj dhjetë të pandehurve. Prokurori Adnand Xholi, për afro një vit ka hetuar rreth krimit makabër, ku mbeti i vrarë dhe më pas u dogj në makinë ish-efektivi i Komisariatit të Policisë Vlorë, Gjergji Mehmeti, i cili në atë periudhë ushtronte funksionin e komandantit të togës në Repartin e Policisë së Rendit. Sipas prokurorisë, grupet e armatosura mbajtën peng dhe keqtrajtuan për disa ditë me radhë dhe efektivin Eduart Aliaj. Sulmit të armatosur mundi t'i shpëtonte Sokol Bizhga, në atë kohë shef i krimeve në Vlorë, si dhe Myzafer Blushi, punonjës policie. Efektivët ishin nisur drejt Sarandës me urdhër të zv/ministrit të Brendshëm, Agim Shehu për të rivendosur rendin dhe qetësinë, por ranë pre e sulmeve të armatosura. Gazeta ka mundur të sigurojë kërkesën për gjykim dhe po e boton të plotë.
Historia
Në analizë të provave dhe të akteve të grumbulluara gjatë hetimit paraprak të këtij procedimi, po parashtroj faktin si më poshtë; Nga hetimet e kryera si dhe nga provat e administruara, ka rezultuar e provuar se; me datë 04.03.1997, rreth orës 07.00, viktima Gjergj Mehmeti së bashku me shtetasit Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, të gjithë efektivë të Komisariatit të Policisë Vlorë, me urdhër të ish-zv/ministrit të Brendshëm, njëkohësisht dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z.Agim Shehu, janë nisur për në drejtim të qytetit të Sarandës, me qëllim ringritjen e Komisariatit të Policisë së këtij qyteti, punonjësit e të cilit e kishin lënë shërbimin dhe ishin shpërndarë për shkak të trazirave të shpërthyera me rënien e firmave piramidale. Rreth orës 18.30, punonjësit e policisë me autoveturën tip Mercedez-Benz 240 D në pronësi të Myzafer Blushit, janë nisur nga Vlora në drejtim të Sarandës. Sapo kanë arritur në Sarandë kanë vajtur në komisariat, por kanë konstatuar se ka qenë i djegur plotësisht dhe rreth tij nuk ka pasur asnjë punonjës policie. Pas këtij momenti kanë komunikuar në telefon me zv/ministrin për situatën në të cilën ndodhej Komisariati i Policisë Sarandë, i cili nuk mundej që të riorganizohej dhe kanë vendosur që të largohen. Në Sarandë rastësisht takohen me shtetasit Lefter Blu-shi, Genci Blushi (familjarë të punonjësit të policisë Myzafer Blushi) dhe Krenar Ferunin, të cilët do shkonin për në Gjirokas-tër dhe rreth orës 12.30-13.00 kanë vazhduar rrugën për në dalje të qytetit të Sarandës, por në momentin që kanë vajtur tek nënstacioni elektrik i qytetit të Sarandës (i cili ndodhet në dalje të qytetit për nga drejtimi i lëvizjes së punonjësve të policisë), i ka parakaluar një makinë Mercedez-Benz 190 me ngjyrë jeshilë dhe me targa të Sarandës, brenda të cilit kanë qenë tre persona. Ky automjet iu ka prerë rrugën dhe ka ndaluar rreth 4-5 metra para autoveturës së punonjësve të policisë. Nga ky automjet ka zbritur pasagjeri që ndodhej i ulur në sedilen e parë, i cili në dorë ka pasur dhe një armë automatike tip kallashnikov. Ky person është afruar tek automjeti i punonjësve të policisë, ka komunikuar me ta dhe i ka pyetur se kush ishin dhe ku do shkonin. Këtij personi i është përgjigjur Sokol Bizhga, duke iu prezantuar në emër, gjithashtu i ka thënë se ishin punonjësit e policisë së Vlorës. Ky ka qenë dhe momenti që punonjësit e policisë kanë bërë çarmatosjen e tij. Nga automjeti me targa të Sarandës, për të parë se çfarë po ndodhte me shokun e tyre, kanë dalë dhe dy personat e tjerë, e konkretisht pasagjeri i sediles së pasme dhe drejtuesi i automjetit. Në këtë moment ka ndodhur dhe një shkëmbim zjarri, ku për pasojë drejtuesi i automjetit me targa të Sarandës, duke u ndodhur dhe më pranë tij ka vrapuar në brendësi të automjetit dhe është larguar me shpejtësi për në dalje të qytetit të Sarandës, rrugë e cila të shpie në Gjirokastër. Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se drejtuesi i automjetit të Sarandës ka qenë dëshmitari Armand Hysi, pasagjer në sedilen e parë, i pandehuri Edmond Sejko (i thirrur ndryshe "Bubeqi") dhe në sedilen e pasme ka qenë dëshmitari Fatos Mahmutaj.
Masakra
Duke u ndodhur në një situatë të tillë dhe duke menduar se rrugës do të ndesheshin me njerëz të tjerë të armatosur, punonjësit e policisë kanë futur në automjetin e tyre të pandehurin Edmond Sejko dhe shtetasin Fatos Mahmutaj, me të vetmin qëllim për të siguruar kalimin e tyre pa probleme nga Saranda. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Armando Hysi, në momentin që ka arritur në vendin e quajtur "Qafa e Gjashtës", pikërisht tek karburanti i shtetasve Stafen dhe Niko Vaso (i cili ndodhet 200-300 m nga nënstacioni elektrik), ka komunikuar me grupin e personave të armatosur sarandjotë që kanë qenë në karburant dhe ju ka thënë se një automjet me targa të Vlorës, me disa persona të armatosur kanë marrë peng Edmond Sejkon (Bubeqin) dhe kunatin e tij, Fatos Mahmutaj dhe pas këtij momenti largohet në drejtim të fshatit Metoq të Sarandës, ndërsa personat e armatosur që ndodheshin tek karburanti janë pozicionuar në pritje të automjetit me targa të Vlorës. Pas disa minutash, punonjësit e policisë me automjetin e tyre kanë shkuar në vendin e quajtur "Qafa e Gjashtës", por kur afrohen rreth 50 m para pikës së karburantit të vëllezërve Vaso janë gjendur përballë një sulmi me armë zjarri, pikërisht nga grupi i personave të armatosur të cilët kanë qenë të pozicionuar rreth karburantit. Të ndodhur në një situatë të tillë, punonjësit e policisë kanë ndaluar automjetin pas një kamionçine të parkuar rastësisht në anë të rrugës dhe me qëllim kalimin e rrugës pa ndonjë problem, ka zbritur nga makina i paarmatosur Sokol Bizhga dhe i është drejtuar grupit të personave të armatosur me fjalët: "… Jam shefi i policisë kriminale të Vlorës, jemi lebër, jemi vëllezër, prandaj mos qëlloni", por nga ana e personave që ndodheshin tek karburanti ka vazhduar sërish që të qëllohej me armë. Pas këtij momenti, punonjësit e policisë kanë kërkuar nga personat që kishin hyrë në automjetin e tyre, pikërisht nga i pandehuri Edmond Sejko dhe shtetasi Fatos Mahmutaj, meqenëse ishin sarandjotë, të shkonin tek personat e armatosur që ndodheshin tek karburanti dhe të negocionin me ta që të largoheshin pa ndonjë problem në drejtim të Gjirokastrës. Por në momentin kur i pandehuri Edmond Sejko dhe shtetasi Fatos Mahmutaj kanë shkuar në afërsi të personave të armatosur, i pandehuri Edmond Sejko jo vetëm që nuk ka negociuar, por ju ka thënë fjalën "Tajfuni". Ky ka qenë dhe momenti në të cilin personat e armatosur kanë vazhduar sërish duke qëlluar me breshëri armësh zjarri në drejtim të punonjësve të policisë, ku për pasojë pas rreth 10-15 minutash shkëmbim zjarri ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Gjergji Mehmeti. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, punonjësit e policisë, Myzafer Blishi dhe Sokol Bizhga, kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa punonjësi tjetër i policisë, Eduart Aliaj nuk ka arritur që të largohet, por është kapur nga personat e armatosur dhe është mbajtur peng e keqtrajtuar për disa ditë në qytetin e Sarandës. Duhet përmendur fakti se personat e armatosur të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, pas të shtënave i kanë vënë flakën automjetit në të cilin ndodhej trupi i punonjësit të policisë Gjergji Mehmeti. Nga hetimet e kryera dhe më konkretisht, gjatë ekze-kutimit të urdhrit të ndalimit të shtetasit Edmond Sejko, në banesën e tij janë gjetur dhe më pas sekuestruar me cilësinë e provë materiale, një armë zjarri pistoletë tip TT, një karikator, shtatë fishekë dhe dy granata ofensive me ndezës. Sa më sipër, si dhe nga një analizë e rrethanave të ngjarjes, ka rezultuar e provuar se në grupin e personave të armatosur të cilët kanë qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë, kanë qenë të pandehurit Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Mikel (Flamur ose Vladimir) Këndezi, Arben Këndezi, Agron Qurku, Aleksandër Bala dhe Ristan Lapa, të cilët me veprimet kriminale kanë konsumuar elementët e veprave penale për të cilat janë akuzuar.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›