Regjistër të veçantë për emigrantët shqiptarë
Regjistri nuk do të shërbejë vetëm për statistika, por për ndërtime politikash eficiente për mbështetjen, mbrojtjen dhe rikthimin e pothuaj një të tretës së popullsisë. Duro: Do të krijojë lehtësira fiskale.
TIRANE- Një regjistër i veçantë për emigrantët, i cili nuk do të shërbejë vetëm për statistika, por edhe për të ndërtuar politika fiskale në favor të atyre që vendosen të kthehen apo edhe në vendet pritëse ku ata punojnë e jetojnë". Ka qenë kjo deklarata e ministrit të ri të Punës dhe Çështjeve Sociale, Anastas Duro, gjatë takimit që ka zhvilluar me shefen e misionit të IOM në Shqipëri. Nga ana tjetër, IOM ka deklaruar se Shqipëria është i vetmi vend që ka ndërmarrë hapa konkretë dhe ka hartuar një strategji për emigracionin.
Strategjia
"Ne mendojmë se ka ardhur koha dhe nuk duhet vonuar në çeljen e një projekti për krijimin e regjistrit të emigrantëve. Ky regjistër nuk do të shërbejë thjesht dhe vetëm për statistika, por veçanërisht për të ndërtuar politika eficente për mbështetjen, mbrojtjen, por edhe rikthimin e pothuaj një të tretës së popullsisë", - u shpreh ministri Duro. Sipas tij, "mungesa e këtij regjistri bën që ne të hasim në pengesa dhe vështirësi në iniciativat tona për të kontaktuar me vendet pritëse të emigrantëve për të filluar procesin e draftimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e punësimit dhe mbrojtjes reciproke sociale". Deklarata është bërë gjatë takimit që ai ka zhvilluar me shefen e misionit të IOM në Shqipëri (Organizata Ndërkombë-tare e Emigracionit), Nicoletta Giordano. Në këtë kuadër, sipas ministrit të Punës, kontributi i IOM në realizimin sa më të shpejtë dhe të saktë të këtij projekti, vlerësohet si i nevojshëm dhe i dobishëm nga strukturat e dikasterit që ai drejton. Më tej, ministri Duro kërkoi që bashkëpunimi me IOM të shtrihet edhe në fusha të tilla si draftimi dhe negocimi me vendet pritëse të emigrantëve i marrëveshjeve për mbrojtje sociale, që do të garantonte, veç të tjerash, edhe njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore, rritja e mbështetjes dhe monitorimit për qendrat pritëse të viktimave të trafikimit, me qëllim sigurimin e mbrojtjes më të lartë për viktimat, por edhe për krijimin e kushteve për riintegrimin sa më të lehtë dhe të shpejtë social.
IOM
Për shefen e zyrës së IOM-it, Nicoletta Giordano, bashkëpunimi me strukturat shtetërore shqiptare, dhe veçanërisht me Ministrinë e Punës, "të cilës IOM i referohet përherë si partneri kryesor në Shqipëri", kanë qenë mjaft rezultative. "Shqipëria duhet të jetë krenare, - ka deklaruar shefja e IOM, Giordano, - pasi është vendi i parë dhe i vetëm deri në sot që ka hartuar dhe miratuar një Strategji për Emigracionin. Pikërisht për këtë arsye, vendet e tjera, kryesisht ato fqinje, janë të interesuara të marrin eksperiencën shqiptare në këtë drejtim. Edhe plani për informimin e emigrantëve, që sapo ka filluar të zbatohet, është i një rëndësie të veçantë, për një vend si Shqipëria që ka në emigracion një numër shumë të lartë të forcave aktive për punë", - ka deklaruar ajo, e cila ka shtuar se IOM dhe zyra e saj në Shqipëri, janë të gatshme të ofrojnë bashkëpunimin e tyre në realizmin e këtyre programeve, por edhe programe të reja, duke iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të institucioneve qeveritare shqiptare.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)