E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia: “Tirana nuk ka nevojë të zbukurohet me paratë e Gërdecit dhe Kalimashit”



Emanuela Sako

Tirana do të dekorohet për festat e fundvitit me dekoret e përdorura një vit më parë, për shkak të mungesës së buxhetit. Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se Tirana nuk do të ketë dekorime të reja, pasi për këtë çështje nuk ka një buxhet të veçantë. Madje, bashkia bën të ditur se nuk ka nevojë të përdorë zbukurime me parë e pista të Gërdecit apo rrugës Rrëshen-Kalimash. Zbukurimet në sheshet kryesore këtë vit janë më të pakta nga ana e bashkisë, përfaqësuesit e saj pranojnë se janë përdorur të njëjtat zbukurime të një viti më parë. Ndërsa pema e madhe në qendër të kryeqytetit po përdoret nga Bashkia e Tiranës prej 4 vitesh.
Deklarata
Albana Koçiu, Drejtoresha e Sektorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, shprehet se qeveria po i cungon buxhetin Bashkisë së Tiranës dhe bashkive opozitare, çdo ditë e më tepër.
“Bashkia e Tiranës, pavarësisht problemeve në buxhet të shkaktuara nga qeveria ka filluar prej ditësh dekorimin e qytetit me rastin e festave të fundvitit. Vërtet po përdoret pjesë e dekorit të një viti më parë, për shkak se fondet e buxhetit vendor po cungohen dita-ditës nga qeveria. I bëjmë apel bogdan-tellallëve të mos përdorin dhe festat për politikën e tyre të përbaltjes. Tirana nuk do dhe nuk ka nevojë të zbukurohet me paratë e Gërdecit dhe Kalimashit” – u shpreh Albana Koçiu.
Dekori
Përfaqësuesit e bashkisë shprehen se këtë vit, do të ketë disa të reja, për qytetarët që do të festojnë në sheshet e Tiranës, me rastin e festave të fundvitit. Në sheshin “Nënë Tereza” po vendoset një cirk me rreth 100 akrobatë për të performuar deri në muajin janar. Ndërsa në sheshin “Skënderbej”, do të vendoset një pistë e akullt e rrethuar nga një panair për të kënaqur të gjitha grupmoshat. “Përveç rrugëve të dekoruara këtë vit, Tirana do të ndjejë festën përmes aktiviteteve kulturore të ngjashme me metropolet e tjera europiane. Një cirk gjigant, me 100 nga akrobatët më të mirë të botës po vendoset në sheshin “Nënë Tereza” për të performuar deri në muajin janar. Në sheshin “Skënderbej” pista e akullit, rrethuar nga një panair festiv do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, gjatë gjithë periudhës së festave. Shumë surpriza të tjera do të ndodhin në kryeqytet, për të kënaqur të gjitha moshat. Pa dashur të prishim atmosferën e ditëve vijuese, por duke mos i lejuar askujt të përbaltë ato pak ditë të lumtura të fëmijëve tanë”, - u shpreh Drejtoresha e Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës. Edhe vitin e kaluar, Tirana u përfshi nga mjaft aktivitete kulturore dhe argëtuese për festat e fundvitit.

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›