Sindikata e Hekurudhës, qeverisë: “Plotësoni kushtet, ose grevë pa afat”
DURRËS – Kriza në industrinë e hekurudhave ka irrituar punonjësit e këtij sektori, të cilët dje kanë bërë disa kërkesa për qeverinë, përfshirë edhe pagën e 13-të. Nëse nuk realizohen kushtet, ata kanë paralajmëruar nisjen e një greve pa afat. Drejtuesit e Sindikatës së Hekurudhës në Durrës dolën dje në një konferencë para mediave, ku kanë bërë të qartë kërkesat e tyre. Ata kërkojnë dhënien e pagës së 13-të, kushte më të mira pune, rritjen e pagës si dhe investime në Hekurudhën shqiptare. Nëse kërkesat nuk do të zbatohen, sindikalistët kanë deklaruar se do të organizojnë të tjera takime deri në grevë pa afat, duke shkaktuar një paralizim të plotë të transportit.
Deklarata
Kreu i Sindikatës së Hekurudhës Shqiptare, Osman Meta, u shpreh dje zyrtarisht se i kërkon qeverisë që punonjësit e këtij sektori të përfitojnë pagën e 13-të, ashtu siç parashikohet edhe në Kodin e Punës. Po ashtu, Meta kërkoi që të nisë sa më shpejt reforma për ristrukturimin e këtij sektori, i cili ndodhet në prag të falimentimit. Ai u shpreh se realizimi sa më i shpejtë i këtij procesi do të sillte rritje pagash dhe largimin e punonjësve, të cilët marrin pagën dhe i kalojnë ditët në shtëpi. Kryesindikalisti i Hekurudhës, Meta, tha se një grevë pa afat do t’i sillte Hekurudhës dhe shtetit shqiptar një dëm të madh ekonomik, duke krijuar probleme të mëdha dhe në zbatimin e kontratave me subjektet private”. Për këtë qëllim është kërkuar nga sindikata inventarizimi i pasurive të Hekurudhës për të ndalur abuzimet e mëtejshme. Ndonëse një muaj më parë Sindikata iu drejtua krerëve më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare, si dhe dikasterit të Transporteve me një peticion për të shqyrtuar realisht dhe plotësuar kërkesat e tyre, nuk është marrë asnjë reagim.
Gjendja
Për të mos e lënë që të thuhet “na ishte dikur treni”, qeveria shqiptare ka hartuar një plan emergjence për shpëtimin nga degradimi total i Hekurudhës shqiptare. Këto të fundit, si dhe shërbimi i transportit hekurudhor si për udhëtarët, ashtu dhe për mallrat, mbetet pika më e dobët e ekonomisë shqiptare. Ky sektor rezulton me humbje financiare 1 milion dollarë çdo vit, edhe pse shtetit i merr në formë subvencioni rreth 4 milionë dollarë dhe investime 3 milionë dollarë të tjerë.
Për tre vitet e ardhshme, transportit hekurudhor do t‘i jepen nga buxheti i shtetit rreth 30 milionë dollarë mbështetje, por kjo shumë është tepër pak për nga rëndësia dhe nevojat që ka ky sektor.
Konkurrenca me transportin me goma është bërë “mbytëse” për Hekurudhën shqiptare, ku edhe pse ato konsiderohen si transporti më me leverdi, në 12 vitet e fundit roli i tyre është zbehur fare dhe çdo transport, brenda vendit, si për mallra, ashtu dhe për njerëz, bëhet me atë mbi goma. Sot trenat në Shqipëri ecin me një shpejtësi rreth 35-40 km/h dhe kanë një çmim bilete (për udhëtarë) nga 70-300 lekë për linjat nga veriu në jug. E vetmja mënyrë për të dalë nga situata është dhënia me koncesion e linjave të hekurta. Gjatë vitit 2010 pritet që të përfundojë tenderimi dhe dhënia me koncesion e disa segmenteve të hekurudhave. Deri tani kanë shfaqur interes kompani italiane, ruse, gjermane, franceze etj.
Inventari i Hekurudhës shqiptare
Hekurudha shqiptare ka një inventar prej afro 670 km trase, prej së cilës segmenti kryesor në itinerarin veri-jug ka një gjatësi në 450 km dhe 220 km të tjerë janë linja dytësore. Ky rrjet nis nga veriu me stacion kufitar Bajzën, deri në jug me stacion fundor Vlorën dhe në lindje me stacion fundor Gurin e Kuq në Pogradec, në kufi me Maqedoninë. Rrjeti hekurudhor shqiptar lidhet me rrjetin hekurudhor ndërkombëtar nëpërmjet linjës Bajzë-Podgoricë, Mal i Zi, ku aktualisht kryhet transporti ndërkombëtar i mallrave, si dhe me Portin e Durrësit, që konsiderohet si porti hyrës i Korridorit 8. Ky rrjet ka gjerësi normale si hekurudhat e vendeve të tjera europiane, por është i paelektrifikuar dhe pa sistem sinjalizimi. Lëvizja e trenave drejtohet nëpërmjet sistemit të radio-ndërlidhjes. Rrjeti hekurudhor shqiptar ka filluar të ndërtohet në vitin 1947 deri në vitin 1986. Gjendja e infrastrukturës hekurudhore ka tregues të ulët teknikë. Si pasojë, shpejtësia e lëvizjes se trenave në linjë është e kufizuar edhe prej moshës mesatare të mjeteve hekurudhore, e cila është e madhe. Çdo vit, buxheti i shtetit akordon në formë subvencionesh rreth 4 milionë USD për aktivitetin e operimit dhe 3-4 milionë USD për investime kapitale. Aktualisht, Hekurudha Shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Me këto mjete transportohen rreth 1,5-2 milionë udhëtarë dhe rreth 400-500 mijë tonë mallra në vit.
15 Dhjetor 2009