Studimet e pjesshme, UT nxjerr listat e aplikantëve sipas mesatares
Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës nxjerr listat e aplikantëve për studimet me kohë të pjesshme, të renditur sipas mesatares. Burime zyrtare nga UT-ja bëjnë të ditur se fituesit përfundimtarë kanë dalë vetëm për Fakultetin Histori-Filologji(degët Histori, Gjeografi dhe Gjuhë-Letërsi). Kurse për fakultetet e tjera është bërë vetëm renditja alfabetike e aplikantëve, së bashku me mesataren. Kjo, pasi rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule vendosi dje që të lihet një afat dyditor për të gjithë ata aplikantë që mendojnë se u është kryer ndonjë padrejtësi administrative në llogaritjen e mesatares. Pas këtij vendimi, aplikantët mund të verifikojnë mesataret e afishuara dhe në rast se kanë ankesa, mund t’i paraqesin ato në sekretaritë e fakulteteve jo më vonë se ora 16.00 e ditës së sotme. Burime nga UT-ja sqarojnë se ditën e nesërme, ora 12.00 do të shpallen rezultatet përfundimtare, në të gjitha departamentet e fakulteteve, me përjashtim të Filologjikut.
15 Dhjetor 2009