E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj me Sindikatën e Policisë: Do të realizojmë pikat e Kontratës Kolektive



TIRANË – Policia e Shtetit do të realizojë sa më shpejt pikat e Kontratës Kolektive me Sindikatën. Një gjë e tillë është deklaruar nga zoti Hysni Burgaj, gjatë një takimi me drejtues të Sindikatës dhe ekspertët e misionit europian “PAMECA III”. Burimet zyrtare nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Forcave të Rendit bëri të ditur se gjatë fundjavës është zhvilluar një takim mes sindikatave policore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Krerët e tyre kanë rënë dakord për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes tyre. Delegacioni nga Mali i Zi u përfaqësua nga presidenti i Sindikatës së Policisë, z. Dusan Vratnica dhe zëvendëspresidenti Dragoljub Tediç. Ndërsa delegacioni i Kosovës u përfaqësua nga kryetarja e Sindikatës së Policisë, zonja Valbona Kamberi, sekretari i Përgjithshëm Organizativ, z. Fadil Azemi, nënkryetari i Sindikatës dhe sekretari për Financat.
Me propozimin e Sindikatës së Malit të Zi, midis palëve u ra dakord që në muajin janar 2010 të zhvillohet një seminar i përbashkët, ku do të trajtohen problemet më themelore të sindikalizmit në vendet tona. Drejtuesit e sindikatave të vendeve të rajonit zhvilluan një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i misionit “PAMECA III”, zoti Xhon Porter. Sipas njoftimit zyrtar, Burgaj deklaroi mbështetjen e tij ndaj Sindikatës së Policisë për përmirësimin e kushteve si në aspektin organizativ ashtu edhe të realizimit të të gjitha pikave të Kontratës Kolektive, duke gjetur mirëkuptimin midis palëve. Ndërsa Porter vlerësoi arritjet e Sindikatës së Policisë Shqiptare, duke inkurajuar punën në vazhdimësi të saj për përfaqësimin me dinjitet për mbrojtjen e interesave të punonjësve të Policisë dhe siguroi asistencën e këtij misioni për të përkrahur e zgjidhur në partneritet me drejtuesit e policisë shqiptare problemet që ka hasen gjatë aktivitetit të Sindikatës.

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›