Matura 2010, maturantët e Tiranës, rezolutë me 14 kërkesa Ministrisë së Arsimit
Jonida Tashi
Në prag të nisjes së procesit të Maturës Shtetërore 2010, për herë të parë, maturantët i janë drejtuar me një rezolutë kërkesash Ministrisë së Arsimit. Gjimnazistët e kryeqytetit i kanë dorëzuar një rezolutë zëvendësministres së Arsimit, Nora Malaj, ku kanë shprehur kërkesat e tyre për mbarëvajtjen e provimeve të Maturës Shtetërore. Rezoluta erdhi ndërsa Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi ditën e diel forumin me temë “Matura Shtetërore”, ku maturantët me shqetësimet dhe kërkesat e tyre ishin kryefjala e këtij aktiviteti. Përballë gjimnazistëve të Tiranës, në panelin drejtues të këtij forumi të hapur ishin kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj dhe specialisti për arsimin pranë Ministrisë së Arsimit, Gramoz Bregu. Më pas gjimnazistët bënë pyetje dhe konstatime për sa i përket shqetësimit të tyre më të madh, Maturës Shtetërore. Në fund të forumit gjimnazistët i dorëzuan rezolutën zëvendësministres së Arsimit.
Rezoluta
Në rezolutën e maturantëve, që tashmë ka mbërritur në duart e ekspertëve të Ministrisë së Arsimit për shqyrtim, të rinjtë kanë paraqitur 14 kërkesa kryesore, të cilat nëse do të merren në konsideratë nga MASH-i, do të kenë mjaft peshë në rezultatet e provimeve. Pikësëpari, maturantët kërkojnë që pyetjet e provimeve të Maturës të hartohen në bazë të njohurive të marra gjatë katër viteve të shkollës, duke u marrë parasysh dhe profili i zgjedhur nga nxënësi. Po ashtu, sipas tyre, tezat e hartuara për profilin shoqëror duhet të jenë të ndryshme nga ato të profilit natyror. Pika e tretë e rezolutës është që të përcaktohet literatura që në fillim të vitit shkollor. Për këtë, maturantët kërkojnë që në fillim të vitit shkollor dhe gjatë tij, nxënësit t’i jepen tezat të ngjashme me ato të Maturës Shtetërore dhe t’i referohen programit mësimor. Kërkesa e katërt e maturantëve ka të bëjë me pyetjet për koment në tezat e Letërsisë, për të cilat ata propozojnë që të jenë ato që do të bëhen gjatë vitit shkollor dhe mos të dilet jashtë teksteve mësimore.
Provimet
Më tej, maturantët i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit që në provimin e Letërsisë dhe atë të Gjuhëve të Huaja t’i jepen më pak pikë esesë, pasi kjo ka shumë probleme me nxënësit dhe i ul shumë pikë atyre. Kjo kërkesë është pasur me një të ngjashme, që në provimin e Gjuhëve të Huaja edhe pjesa e të lexuarit të jetë më e shkurtër. Heqja e provimit të detyruar të Matematikës për “Liceun Artistik” dhe provimi i detyruar i Letërsisë për shkollën e mesme Elektrike dhe Ekonomike, është një tjetër kërkesë e përfshirë në rezolutën e maturantëve. Ndërkaq, në një pikë tjetër ata sugjerojnë që të ndahet provimi i Ekonomisë nga ai i Filozofisë. Të rritet përqindja e mesatares së 4 viteve deri në 40 për qind, nga 20 për qind që është vlerësuar deri më tani është pika e radhës në rezolutë. Jo pak të vëmendshëm duket se maturantët kanë qenë edhe përsa i përket koeficienteve të shkollave, të cilët përbëjnë një komponent më vetë në llogaritjen e pikëve të Maturës. Për këtë arsye, maturantët i propozojnë në formë kërkese Ministrisë së Arsimit që të rishikohen koeficientet e vendosur për shkollat në bazë të nivelit të tyre si dhe të rishikohen ndryshimet ndërmjet koeficienteve të profilit shoqëror dhe atij natyror. Në katër pikat e fundit të rezolutës kërkohet që: Të informohen nxënësit për degët e reja që hapen, pra të funksionojë Këshillimi i Karrierës nëpër shkolla; Të ulet sasia e degëve të zgjedhura për plotësimin e formularit A1; Korrigjimi të bëhet nga mësues të trajnuar; Të ketë mundësi rishikimi dhe rivlerësimi të tezës.
Matura 2010, ndryshojnë datat e provimeve
Maturantët e vitit 2010, do t’i nënshtrohen më herët provimeve të Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë datat e këtyre provimeve, duke i afruar ato më shumë me datën e mbylljes së procesit mësimor. Sipas datave të reja, sesioni i provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore do të fillojë më 7 qershor për të mbaruar më 2 korrik 2010. Ndërkohë që gjatë Maturës së si vjetshme provimi i fundit u zhvillua në datën 10 korrik. Në kuadrin e konsolidimit të procesit të Maturës Shtetërore dhe mirinformimit të nxënësve, mësuesve dhe prindërve për procedurat e Maturës Shtetërore, sistemin Meritë-Preferencë, DAR/ZA-t dhe drejtoritë e gjimnazeve, duhet të marrin masat për planifikimin gjithëvjetor të punës për këshillimin për karrierën, kryesisht në kuadër të realizimit të orëve të lira. Për këtë DAR/ZA-të do të analizojnë me shumë përgjegjësi rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore të vitit 2009 dhe të mënyrës së administrimit të këtyre provimeve. Kurse zyrat për Këshillimin për Karrierën pranë gjimnazeve, duhet të hartojnë plane pune vjetore, të miratuara nga drejtoritë e shkollave dhe DAR/ZA. Nga ana tjetër, Drejtoria e Kurrikulës dhe Monitorim-Vlerësimit do të monitorojë gjatë gjithë vitit shkollor punën e kryer për Këshillimin e Karrierës.
Rezoluta, 14 kërkesat që janë përfshirë në të
1. Pyetjet të hartohen në bazë të njohurive të marra gjatë 4 viteve të shkollës, duke u marrë parasysh dhe profili i zgjedhur nga nxënësi.
2. Tezat e hartuara për profilin shoqëror të jenë të ndryshme nga ato të profilit natyror.
3. Të përcaktohet literatura që në fillim të vitit shkollor. Në fillim të vitit shkollor dhe gjatë tij, nxënësit t’i jepen tezat të ngjashme me ato të Maturës Shtetërore dhe t’i referohen programit mësimor.
4. Pyetjet për koment në tezat e Letërsisë të jenë ato që do të bëhen gjatë vitit shkollor dhe mos të dilet jashtë teksteve mësimore.
5. Në provimin e Letërsisë dhe atë të Gjuhëve të Huaja t’i jepen më pak pikë esesë, pasi kjo ka shumë probleme me nxënësit dhe i ul shumë pikë atyre.
6. Në provimin e Gjuhëve të Huaja, pjesa e të lexuarit të jetë më e shkurtër.
7. Të hiqet provimi i detyruar i Matematikës për “Liceun Artistik” dhe provimi i detyruar i Letërsisë për shkollën e mesme Elektrike dhe Ekonomike.
8. Të ndahet provimi i Ekonomisë nga ai i Filozofisë.
9. Të rritet përqindja e mesatares së 4 viteve deri në 40 %.
10. Të rishikohen koeficientet e vendosur për shkollat në bazë të nivelit të tyre dhe të rishikohen ndryshimet ndërmjet koeficienteve të profilit shoqëror dhe atij natyror.
11. Të informohen nxënësit për degët e reja që hapen, pra të funksionojë këshillimi i karrierës nëpër shkolla.
12. Të ulet sasia e degëve të zgjedhura për plotësimin e formularit A1.
13. Korrigjimi të bëhet nga mësues të trajnuar.
14. Të ketë mundësi rishikimi dhe rivlerësimi të tezës.
15 Dhjetor 2009