Gripi i derrit, shtohen rastet e shfaqjes së rëndë të virusit
Emanuela Sako
Gripi i derrit po shfaqet me simptoma të rënda tek disa pacientë. Situata është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka pranuar se janë edhe katër pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe që po kurohen në spitale. Mes pacientëve është edhe një grua shtatzënë, e cila prej disa ditësh është nën kujdesin e mjekëve për shkak të prekjes nga virusi. Drejtori i Përgjithshëm në ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero është shprehur se kjo është faza e parë e gripi, pasi situata mund të jetë edhe më e vështirë. “Aktualisht nga ky virus në gjendje të rëndë, në dijeninë time, raste të konfirmuara janë; një grua shtatzënë, një rast tjetër në reanimacionin qendror dhe dy raste të tjera në Sanatorium. Viktima e 4 nga A/H1N1 pasqyron edhe kulmin e valës së parë së kësaj situate epidemiologjike në vendin tonë, e cila korrespondon me fundin e nëntorit dhe fillimin e dhjetorit”,- deklaroi Pipero.
Vaksina
Në fund të kësaj jave mbërrijnë 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër virusit A/H1N1, e cila deri tani ishte vonuar nga kompania prodhuese. Vaksina do të shpërndahet nëpër qendra shëndetësore për t’u marrë nga falas nga qytetarët. Pipero sqaroi se vaksina që pritet të mbërrijë në vendin tonë nuk jep efekte anësore afatgjata, megjithatë është në dorën e pacientit nëse do ta bëjë apo jo. Në poliklinika duket se numri i personave që paraqiten për t’u vizituar me grip ka rënë. Mjekët specialistë shpjegojnë se piku i gripit mendohet të ketë qenë në fund të muajit nëntor dhe në fillim të muajit dhjetor. Ndërkohë që një valë tjetër pritet të ketë në fund të muajit janar ndaj i kërkohet qytetarëve të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë, por edhe atë kundër A/H1N1. Rastet e shfaqura me virusin pandemik kanë shënuar shifra të larta në vendin tonë, ku numërohen rreth 320 raste të konfirmuara. Qytetarët janë në panik për shkak të rritjes së madhe që po pëson virusi i gripi, i cili duket se do të shoqërojë gjatë gjithë periudhës së ftohtë.
Rastet
Numri i personave që kanë humbur jetën në vendin tonë ka shënuar 4 raste. Specialistët bëjnë të ditur se të 4 pacientët vuanin edhe nga sëmundje të tjera të rënda. Rasti më i fundit i vdekjes nga virusi A/H1N1 u shënua rreth orës 23:00 të së shtunës, ku një 31 -vjeçar me iniciale E. M ka humbur jetën pas një gjendje gripale prej disa ditësh. Burime zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë, thanë se 31 -vjeçari ishte kuruar prej disa ditësh me antibiotikë në shtëpi, por pas përkeqësimit të gjendjes i riu u shtrua fillimisht në spitalin e Vlorës, për tu transferuar më tej nga mjekët në Sanatoriumin e Tiranës. Rasti i parë ishte ai i 57- vjeçarit nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga sëmundje të tjera. Deri më tani, asnjë nga rastet që kanë humbur jetën nuk ka pasur vetëm virusin e gripit, por të gjithë vuanin edhe nga sëmundje të tjera. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që të gjithë rastet e prekura nga virusi të tregohen të kujdesshëm, pasi ai mund të krijoje komplikacione. Njëkohësisht, të gjithë personat që vuajnë nga virusi A/H1N1 dhe vuajnë edhe nga sëmundje të tjera të drejtohen menjëherë tek mjeku specialist për të marrë trajtimin e nevojshëm. Ndërsa, viktimat e tjera ishin një 47- vjeçare nga qyteti i Shkodrës, e cila vuante edhe nga sëmundje te tjera. Ndërsa personi tjetër është një 53- vjeçar po nga qyteti i Shkodrës. Pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale dhe është trajtuar prej 5 ditësh me tamiflu. Gruaja 47- vjeçare kurohej prej 5 ditësh në Sanatoriumin e Tiranës, pasi vuante nga sëmundje kronike në mushkëri, hipertensioni dhe nga hiperobeziteti. Kjo ka bërë që 47- vjeçarja nga Shkodra të mos përballonte gjendjen e rëndë shëndetësore. Specialistët e Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se virusi shfaqet tepër i rrezikshëm në rast se pëson komplikacione me sëmundje të tjera.
Rastet
15 Dhjetor 2009