Bashkia Tiranë, fajtorja kryesore për dhunimin e arkitektit Velo
(Hesht akoma Edi Rama - Bashkia ka dështuar të ruajë interesat e qytetarëve dhe faji i mbetet veç asaj)
Pas dhunës fizike ndaj arkitektit Maks Velo, qytetarë, njerëz të medies, intelektualë dhe organizata të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriu kanë shprehur indinjatën e tyre për këtë atentat ndaj shprehjes së lirë të opinioneve. Sigurisht Edi Rama është i vetmi që hesht në mënyrë të zhurmshme, edhe pse ai nuk le vend pa përmendur miqësinë e tij me Maks Velon. Reciprokisht edhe Arkitekti Velo nuk e mohon simpatinë për kryebashkiakun Rama.
Sidoqoftë dhuna ndaj arkitektit dhe artistit të njohur përbën një sjellje të kundraligjshme, jo vetëm sepse arkitekti i njohur shqiptar u kanos për kritikën estetike të dhunimit të arkitekturës dhe urbanistikës të një nga ndërtimeve të cilësuar si e shëmtuar. Ndofta ishte vetëm një gjaknxehtësi e një individi të prekur nga një shkrim publik.
Afërmendsh sipërmarrësi, me sa duket s’ka edukim estetik dhe guxoi t’i mbylli gojën kritikës arkitekturore dhe urbanistike.... Por Bashkia ka dështuar të ruajë interesat e qytetarëve dhe faji i mbetet veç asaj. Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të mendojnë se bashkia nuk po vë fort ujët në zjarr të garantojë garë të drejtë për mundësitë e investimit në kryeqytet. Interesat e ndërtimeve në Tiranë janë 100% nën hyqmin e kryebashkiakut Edi Rama
Sikurse është e vërtetë se KRRT-ja e Bashkisë Tiranë - akoma pa miratuar planin urbanistik - ka shpikur një term të ri juridik të emërtuar “e drejta Kushtetuese për ndërtim”. Me këtë term, KRRT-ja, jo detyrimisht Bashkia e Tiranës, përpiqet të legalizojë ndërtimet me leje të paligjshme (të padrejta është e sigurt) të dhëna në territorin e bashkisë. Në emër të kësaj të drejte të shpikur nga “jurisprudenca e KRRT-së”, mund të dhunohet çdo e drejtë, sic e ka dhunuar hapur - ndaj publikut për të pasur hapësira të gjelbra, apo qoftë edhe për të konservuar mjedise publike që lidhen me etapa të caktuara të zhvillimit të vendit. Por problematika ligjore që ka sjellë përplasjen e arkitektit me sipërmarrësin buron ekskluzivisht nga Edi Rama. Natyrisht Edi Rama dhe bashkia janë nxitësja dhe shkaktarja për dhunimin e shprehjes së lirë në këtë vend, me veprimet e saj të papërgjegjshme. Pra Maks Velon e rrahu dhe kërcënoi me vdekje Bashkia Tiranë si instrument i biznesmeve të lidhura përdore me Edi Ramën, ku shefi i PS bën fasadën e dukshme të tij, kurse bizneset janë thelbi.
Përqindja e deputetëve biznesmenë socialistë/Me dhjetëra (nga 64 të zgjedhurit e PS-së) janë biznesmenë nga më të fuqishmit në vend. Edi Rama në zgjedhjet e kaluara vendosi që shumë prej njerëzve të komunitetit të biznesit, të ishin përfaqësues kandidatë të opozitës për të bindur popullin. Disa nga emrat e njohur të biznesit të ndërtimit që janë deputetë të Partisë Socialiste: Sadri Abazi, Fidel Ylli, Hazir Gashi, etj. Edhe pse parti e majtë, Partia Socialiste vitet e fundit thuajse është bërë një strehë e një shtrese mjaft të pasur të shoqërisë. Qysh prej kohës së Fatos Nanos, biznesi kishte marrëdhënie mjaft të mira me këtë parti. Një nga pikat të cilat Sali Berisha si kryetar i opozitës kritikoi mjaft ashpër, ishte praktika e Nanos për afruar biznesmenë rreth partisë. Me ardhjen e Edi Ramës kjo strategji nuk u ndryshua fare, pasi jo vetëm që u mbajtën biznesmenë afër, por ata u shtuan dhe më tepër. Në këtë parti ndodhen shumë biznesmenë të njohur të cilët paralelisht me biznesin e tyre merren dhe me politikë.