E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet ndërtuar opozita - Shqipërisë po i mungon ky standard

Kryeministri Berisha, gjatë një takimi dje me një grup të rinjsh, në pikën turistike të Malit të Dajtit, ka konfirmuar se vendi po ecën i sigurtë drejt realizimit të idealit evropian të Shqipërisë, edhe pse duhej ndërtuar opozita, pasi aktualisht ky standard po i mungon politikës dhe parlamentit

Kryeministri Sali Berisha u takua dje, gjatë një dite pushimi, me një grup të rinjsh në një nga kafenetë e pikës turistike të Malit të Dajtit. Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha bisedoi me të rinjtë dhe iu përgjigj interesit të tyre për tema të ndryshme si reforma e arsimit të lartë, liberalizimi i vizave, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, roli i opozitës, etj.
Duke u folur të rinjve për procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, kryeministri Berisha u shpreh se me këtë vendim u arrit një ëndërr e vërtetë për shqiptarët. “Asnjë qytetar nuk do të ketë më vonesë për t’u nisur drejt destinacionit të tij. Liberalizimi është dhe një lehtësim real financiar. Pra, u arrit një ëndërr e vërtetë. Imagjinoni, ata që u nisën me anije 20 – vjet më parë ishin moshatarët tuaj, ndërsa ju, shumë shpejt, do të nisen më me dinjitet dhe do të keni mundësinë të njihni hapësirën Evropiane, një hapësirë e krijuar mbi bazën e një mrekullie njerëzore, sepse Evropa nuk ka krijuar asnjë mrekulli më të madhe se sa Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri.
Drejtuar të rinjve, kryeministri tha se “ju, të rinjtë, po ndërtoni dhe do të gëzoni të ardhmen evropiane që meritoni”.
“Ju keni të sigurt një gjë, po ndërtoni dhe do të gëzoni të ardhmen evropiane që meritoni! Sepse integrimi në Bashkimin Evropian dhe përpjekja e gjithanshme për të arritur ndryshimet brenda vendit, ndryshime të standardeve evropiane, nuk arrihen në një ditë, nuk arrihen në një vit dhe as në një dekadë. Lëvizja e lirë lehtëson shumë zhvillimin, e nxit zhvillimin”- u shpreh kryeministri, duke theksuar se “koha ka çmimin më të çmuar për njeriun”.
Kreu i qeverisë deklaroi se rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por në këtë rrugë kemi qenë të sigurt dhe të suksesshëm.
“Padyshim që nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi të lehtë rrugën tonë, sepse kjo ka qenë historia. Por, nga ana tjetër, e kemi të sigurt dhe të suksesshme. Kjo është absolutisht e vërtetë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Lidhur me procesin e integrimit, Berisha u shpreh se gjatë gjithë qëndrimit të tij ka kërkuar që ky proces të bazohet mbi meritën.
“Unë në të gjithë qëndrimin tim në këtë proces jam shprehur se ky proces duhet të bazohet në meritën. Nuk duhet që të pretendojmë të na jepen gjëra që nuk i meritojmë. Kjo, sepse interesi ynë jetik është që ne t’i realizojmë, të bëjmë reforma, të ndryshojmë vendin. Dhe e vërteta është që anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave janë dy rezultatet më historike e më të mëdha të reformave dhe ndryshimeve që janë kryer në këtë vend”, theksoi kryeministri.
Për sa i përket opozitës, kryeministri u shpreh se “Shqipëria është një vend që ka vuajtur për opozitë”. “Gjenerata ime, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka vuajtur për opozitë. Dhe do të them një gjë: Ne në vitet që qëndruam në opozitë, dua t’u rrëfej me shumë sinqeritet, kemi qëndruar shumë të motivuar, me bindjen se po ndërtojmë opozitën. Opozita duhet ndërtuar. Nuk ka demokraci dhe nuk ka zhvillim pa pluralitetin. Në këtë aspekt, opozita është pushteti moral i vendit”- shtoi Berisha.
Gjithashtu, kryeministri u ndal edhe në reformën e qeverisë për arsimin e lartë, të cilën e vlerësoi si një nga reformat më të rëndësishme.
“Ne jemi përqendruar shumë në reformën në universitete. Nuk ka reformë më të rëndësishme, sepse si do të shkolloheni ju, ashtu do të shkruhet edhe libri i së ardhmes. Ju do ta shkruani atë. Ne i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe reformës në universitete. Prapë ka punë për t’u bërë, sepse nga ana sasiore ne kemi ecur shpejt, por po kaq shpejtë duhet të ecim edhe në cilësi. Duhet që, ashtu siç rritëm me shpejtësi numrin e studentëve, të rrisim dhe numrin e pedagogëve. Universitetet duhet të kenë numër të mjaftueshëm pedagogësh edhe për mësime, por edhe për kërkim shkencor. është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata t’ju ngjallin ju vullnetin dhe dëshirën e kërkimit shkencor. Asgjë nuk e konsolidon, nuk e aftëson dhe nuk e fisnikëron më shumë profesionin sesa kërkimi shkencor”- deklaroi ndër të tjera, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›