E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia akuza qeverisë, shemben billbordet në qendër të Tiranës

 

“Përpjekje të një pushteti të turpshëm që po cënon autonominë vendore”, kështu e ka cilësuar kreu i Bashkisë së Tiranës ndërhyrjen e pushtetit në qeverisjen vendore. Kjo deklaratë e bërë dje gjatë inspektimeve në Bllokun 59, ka marrë shkas nga një aksion i kryer dy net më parë në qendër të Tiranës. Një fadromë e shoqëruar nga forca të Policisë së Shtetit ka shkatërruar një mur dhe disa billborde rreth mesnatës së të mërkurës. Për këtë veprim nuk është dhënë asnjë sqarim nga asnjë prej strukturave përkatëse. Kryebashkiaku e ka cilësuar një akt të turpshëm nga qeveria, e cila po cënon në mënyrë këmbëngulëse autonominë e vendorit. “Ky pushtet është i gatshëm të bllokojë qeverisjen vendore në të gjitha zonat urbane, vetëm e vetëm që të nxisë artificialisht pakënaqësinë e njerëzve ndaj tij. Ndërkohë që njerëzit sot kanë vetëm një arsye për të qenë të pakënaqur dhe kjo arsye është pushteti i grabitur. Ai u riciklua duke vjedhur vota dhe që sot qëndron në këmbë, vetëm për të vjedhur e plaçkitur Shqipërinë e shqiptarët”, u shpreh Rama. Sipas tij, puna për të transformuar cilësisht jetën komunitare do të vazhdojë pavarësisht pengesave. Për kreun e Bashkisë së Tiranës, vizitat nëpër blloqet e Tiranës janë kthyer në sheshe kritike karshi ndërhyrjeve që, sipas tij, pushteti bën në qeverisjen vendore. Dje vizita në lagjen “Ali Demi” ku ai ka inspektuar punimet, është bërë dhe vendi i kritikës për ngjarjen e dy ditëve më parë në qendër të kryeqytetit. Vetë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit dhe ato të Ministrisë së Transporteve, pranë të cilave u interesuam për të mësuar për arsyet e këtij veprimi, nuk kanë preferuar të japin asnjë reagim. Konflikti i Bashkisë se Tiranës me qeverinë është kthyer tashmë në një problem të hershëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›