E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, caktimi i vendeve 30 ditë nga data e zgjedhjeve

07/04/2011  Vendosja e flamujve dhe materialeve të tjera zgjedhore

Lidhur me situatën konfliktuale të krijuar mbi evidentimin e vendeve ku duhet të vendosen flamujt dhe materialet e tjera zgjedhore, ka ardhur edhe reagimi i ekspertëve të Bashkisë, të cilët kanë pohuar se caktimi i këtyre vendeve bëhet 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Kreu i drejtorisë së kontrollit mbi territorin urban, Hanti Bonati, ka pohuar se bashkia dhe çdo njësi e qeverisjes vendore nuk përcakton vende se ku ndalohet vendosja e materialeve zgjedhore. “Ndalimin e tyre e bën ligji, i cili përcakton se ndalohet vendosja e çdo materiali zgjedhor propogandistik në çdo hapësirë publike për të cilat nuk është dhënë leja përkatëse nga organi kompetent. Bashkia e Tiranës përcakton vendet ku lejohet vendosja e këtyre materialeve, dhe kjo do të bëhet 30 ditë para datës së zgjedhjeve, ashtu siç përcakton Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, - shprehet Bonati. Sipas tij, i është kërkuar Policisë së Shtetit zyrtarisht mbështetja për ndalimin e incidenteve të shkaktuara nga militantët e subjekteve politike gjatë ushtrimit të detyrave funksionale që ligji i ngarkon Policisë Bashkiake. “U bëjmë edhe një herë thirrje të gjitha forcave politike të mos cenojnë qytetin duke vendosur flamuj dhe banderola nëpër shtylla e nëpër pemë. Shtyllat e ndriçimit dhe pemët nuk janë pasuri e partive politike, por pasuri publike e qytetit”, - ka përfunduar Bonati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›